
Senad Halluni, përgjegjës i maternitetit të Shkodrës deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN Tv se Oriana Gremi, 32-vjeçarja që mbyti foshnjën disa ditëshe në lumin Kir nuk ka shfaqur probleme të shëndetit mendor, apo shenja klinike të depresionit post-partum përgjatë kohës që ajo ishte e shtruar në spital.
Duke vijuar më tej shpjegimin e tij, Halluni tha se fillimisht 32-vjeçarja ka nisur procedurat për dërgimin e fëmijës në shtëpinë e foshnjës, por ditën e fundit ajo ka ndërruar mendje dhe ka firmosur që dëshiron ta marrë fëmijën dhe ta rrisë vetë.
Më 30 dhjetor 32-vjeçarja ka bërë lindje normale. Ka lindur një fëmijë me peshë 3200 gramë, me shëndet të plotë. Zonja nuk ka pranuar atësinë e fëmijës. Kemi zbatuar ligjin dhe kemi thirrur psikologen dhe kemi njoftuar shtëpinë e foshnjës për një eventualitet të mundshëm të dorëzimit të bebes. Kemi bërë konsulta me psikologen. Psikologia ka bërë një analizë të situatës sociale dhe në momentin e fundit zonja ka vendosur ta marrë fëmijën dhe ka nënshkruar një deklaratë në kartelë “ kam dëshirë të marr fëmijën tim”.
Probleme të shëndetit mendor zonja nuk ka shfaqur. Psikologia ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zonjën Gremi. Në kartelë thuhet që 32-vjeçarja ka gjendje psikologjike normale, mendime koherente. Analiza e psikologes nuk ka konkluduar problematika për zonjën Gremi për marrjen e fëmijës.
Në 31 janar dhe 1 janar kam qenë vetë mjek roje dhe jemi munduar ta mbështesim sa më shumë dhe ta bënim të ndihet ngrohtë se ka qenë e shtruar. Kanë ardhur ta vizitojnë shoqet e firmës ku ajo punon. Ka qenë në marrëdhënie pune në një firmë këpucësh. Kishin grumbulluar të ardhura ta ndihmonin. Stafi i maternitetit e ka ndihmuar Orianën.
Zonja ka qëndruar më gjatë se kanë qenë dhe festat dhe se kanë dashur të fillojnë procedurat për transferimin e fëmijës në shtëpinë e foshnjës, por në ditën e fundit zonja ka vendosur që ta marrë fëmijën dhe ta rrisë. Procedurat u ndërprenë, dhe kjo ka qenë arsyeja pse gruaja ka ndenjur deri në datën 4. Kemi një bashkëpunim të mirë dhe të afërt dhe sa herë kemi pasur raste me shtëpinë e foshnjës, gjithmonë kemi ushtruar ndikimin që nënat ta marrin fëmijën dhe ta rrisin fëmijën, dhe nëse kanë refuzuar na është gjetur pranë shtëpia e foshnjës. Bëhen procedurat te noteri, në prani të psikologes ,një punonjëseje të bashkisë dhe drejtoreshës së institucionit. Zonja ka qenë e komunikueshme dhe nuk ka shfaqur shenja të depresionit post-partum. Pas daljes nga spitali duhet të ishin marrë strukturat mbështetëse të shërbimit social.



