
Kryeprokurorja Arta Marku ka dorëzuar sot në Presidencë emrat e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Marku ka dorëzuar dy lista, pjesë e njërës prej të cilave është edhe vetë.
Prokurorja e përgjithshme e përkohshme është shprehur se në listën e parë rezultojnë në përputhje me kriteret vetëm emri i saj dhe Fatjona Memcaj.
Ndërkohë, nga lista e dytë me emrat e 37 prokurorëve, Marku tha se kandidatët janë në përputhje me kriteret, por nuk kanë shkollë magjistrature.
Nga Gjykata Kushtetuese depozitohen automatikisht emrat e Taulant Dedjes dhe Vitore Tushës. Mes emrave të kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi nuk figuron Xhezair Zaganjori i Gjykatës së Lartë.
Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka dërguar asnjë kandidat në Presidencë.
Afati i fundit për hedhjen e shortit për KED është 5 dhjetori. Megjithatë, sipas burimeve, Presidenca nuk do ta hedhë shortin as këtë vit, si në 2017-n. Shkak është vakumi i krijuar nga mosngritja e KLGJ dhe KLP. Shortin pritet ta hedhë Kuvendi pas 5 dhjetorit. Ndërsa puna e parë e KED së re, nëse funksionon, është plotësimi i 5 vakancave në Gjykatën Kushtetuese.



