“Deep Packet Inspection”, DPI- është një pajisje e avancuar e cila shërben për monitorimin e trafikut të internetit duke aksesuar përmbajtjet e të dhënave të përdoruesve të rrjetit.
Ndryshe nga filtrat e zakonshëm që lexojnë vetëm adresat dhe destinacionet e të dhënave, DPI ka aftësinë të lexojë brenda të dhënave. Pra mund të lexojë mesazhet, kërkimet në motorët e kërkimit, përdorimin e aplikacioneve deri te dokumente që gjithsecili që është përdorues rrjeti mund të dërgojë.
Dyshimet e para se DPI ishte duke u përdorur në Shqipëri pa asnjë lloj lajmërimi u ngritën nga ekspertë të kibernetikës, kur qeveria njoftoi bllokimin e aksesimit të TikTok në territorin shqiptar.
Megjithëse AKEP nuk e konfirmoi asnjëherë përdorimin e DPI për bllokimin e IP-vë, DNS, SNI të Tiktok në territorin shqiptar, ekspertët kanë shpjeguar se vetmja mënyrë për bllokimin e një aplikacioni është përdorimi i DPI.
Ekspertë të teknologjisë paralajmëruan se pajisja DPI mund të përdorej për përgjime të paligjshme dhe ndjekje selektive të komunikimeve.
DPI njihet si mjet i përdorur nga disa shtete për censurë dhe përgjim masiv, psh: vende si Kina përmes “Great Firewall”, Rusia përmes sistemit SORM, Irani, Turqia, Egjipti dhe disa shtete të Emirateve përdorin DPI për të bllokuar aksesin; për të penguar përdorimin e VPN-ve; për të ndjekur aktivitetin online të qytetarëve dhe për të filtruar përmbajtjen.



