
Vendimi i Parlamentit të Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë për t’i transferuar rajonit autonom pushtetet e nivelit shtetëror, po shihen me shqetësim në Tiranë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe shkon në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në këtë shtet.
“Duke minuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, që aspirojnë paqe dhe begati.”
Presidenti Meta bën thirrje për angazhimin në dialog të politikanëve në Bosnje për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok.
Të premten, parlamenti rajonal serb votoi për t’i hequr pushtetin shtetit në fushat e taksave, drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes, nismë e shtyrë nga Milorad Dodik, anëtar serb i Presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës. Dodik synon edhe krijimin e një ushtri të veçantë për Republikën Srëpska.
Përfaqësuesit boshnjakë dhe kroatë e konsideruan lëvizjen e serbëve si braktisje të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila në vitin 1995 i dha fund luftës që shkaktoi me mijëra viktima.
Në një deklaratë të përbashkët, ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë si dhe delegacioni i Bashkimit Evropian thanë se vendimi ishte "një hap i mëtejshëm përshkallëzues". Edhe Turqia e konsideroi vendimin si të dëmshëm për të ardhmen paqësore të Bosnje Hercegovinës.
Milorad Dodik kërcënon prej vitesh me ndarje të Bosnje Hercegovinës, duke e konsideruar “një republikë letre”.



