Të paktën 41 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të rënë në një bllok banimi në qytetin Mangaf të Kuvajtit.
Pamjet e shpërndarë në mediat sociale tregojnë flakët të cilat përfshinin pjesën e poshtme të ndërtesës dhe tymin e zi të dendur që dilte nga katet e sipërme.
Të paktën 15 persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital. Shumë nga viktimat thuhet se janë punëtorë të huaj që jetonin atje.
Zëvendëskryeministri Sheikh Fahad Yusuf al-Sabah akuzoi pronarët e pronave për lakmi dhe tha se shkeljet e standardeve të ndërtimit kishin çuar në tragjedinë e rëndë.
“Për fat të keq, lakmia e pronarëve të pronave është ajo që çoi në këtë. Ata shkelin rregulloret dhe ky është rezultat i shkeljeve”, tha Sheikh al-Sabah, i cili është gjithashtu ushtrues detyre i ministrit të Brendshëm, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, gjeneralmajor Eid al-Oweihan tha për televizionin shtetëror se zjarri u raportua në orën 06:00 me orën lokale të mërkurën.
Raportimet e mediave lokale sugjeruan se ndërtesa mund të ketë qenë e mbipopulluar.
Një oficer i lartë i policisë i tha televizionit shtetëror se kishte një numër të madh njerëzish në ndërtesë në momentin e zjarrit.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje për vendet e origjinës së punëtorëve apo natyrën e punësimit të tyre.
Dy të tretat e popullsisë së Kuvajtit përbëhet nga punëtorë të huaj dhe vendi është shumë i varur nga puna e emigrantëve, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe atë të brendshëm.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur rregullisht shqetësime për kushtet e tyre të jetesës.



