
Lëvizja Vetëvendosje organizoi sot në Prishtinë një protestë përpara zyrës së Prokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, me pretendimin se ky i fundit, nuk po bën asnjë përpjekje për të luftuar krimin dhe korrupsionin në vend.
Me pankarta në duar, qytetarë dhe deputetë të opozitës kërkuan largimin e kreut të organit të akuzës.
Sipas opozitës, prokurori i Shtetit, Lumezi, nuk reagon ndaj asnjë fenomeni kriminal në Kosovë, ndaj kërkojnë largimin e tij. Tubuesit thanë se kreu i organit të akuzës nuk po ndjek as krimet e luftës, dhe as ato ekonomike dhe politike.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë protestës së organizuar para zyrës së Prokurorisë të Shtetit, tha se qytetarët janë të revoltuar nga padrejtësitë dhe korrupsioni që po e fundosë shoqërinë.
Ai ka theksuar se protestat do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen derisa vullneti i popullit të vijë në vend.
“Jemi mbledhur këtu si qytetarë të revoltuar prej padrejtësisë dhe korrupsionit që po na fundosë”. Jemi bërë bashkë për ta ngritur një aktakuzë kolektive ndaj sistemit tonë të drejtësisë. Të akuzuarit kryesorë janë pushtetarët e korruptuar dhe prokurorët që po i amnistojnë keqbërësit”, tha deputeti Konjufca.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se protestat do të vazhdojnë edhe në sheshet kryesore të Prishtinës.
Sipas Vetëvendosjes, në Kosovë nuk mund të ketë luftë kundër krimit të organizuar me në krye prokurorin Lumezi.



