Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Suk të Roskovecit, ku banorët kundërshtojnë ndërtimin e një termocentrali me djegie, që thuhet se do funksionojë me gaz lëngshëm të marrë nga projekti TAP. Banorët denoncojnë faktin që në të ashtuquajturën dëgjesë publike rezulton firma e një personi të vdekur. Fermerët thonë se janë në alarm, duke e konsideruar impiantin një “bombë mbi kokat e tyre” që do të dëmtojë tërësisht prodhimet dhe serat.

Ilir Malkaj, fermer i zonës tha:
"Jemi konfuz, nuk e dimë ça do bëhet. Ekspertët e fushës na kanë thënë që është e dëmshme. Jemi kundër. Nuk jemi kundër investimit, por të gjendet vendi. Është në një afërsi 300-350 metra larg qendrave të banimit. Këtu s’janë bërë asnjëherë dëgjesa publike. Jemi 10 veta këtu, nëse është pyetur ndonjë? Ne do vazhdojmë të protestojmë, por për të pyetur s’është pyetur asnjë. Kemi zero informacion. Nuk kemi informacion nga ekspert të bashkisë apo prefekturës. Kemi 10 ditë që e kemi marrë vesh lajmin. Të ndërtosh termocentral 350 metra larg zonave të banuara?! 100 milionë i kam hedhur unë në sera. Babai im ka blerë 8 ha tokë, janë 300 e ca milionë lekë tokë që preken. Na preket e ardhmja e fëmijëve tanë. Kontaminohet uji, kontaminohet ajri. Kryetarja e bashkisë ka bërë një takim me ne në lokal me kërkesën tonë, nuk është dëgjesë publike. E kanë kundërshtuar 99 për qind e personave prezentë. Të nesërmen është ribërë mbledhja e Këshillit Bashkiak, dhe me forcën e kartonit e kanë aprovuar. Në fillim anëtarët e këshillit të majtë refuzuan"
Dhurata, anëtare e Këshillit Bashkiak, u shpreh:
"Në mbledhjen e këshillit bashkiak morën pjesë 25 veta. Na ra si bombë sepse s’kishim informacion. Paraqitën me video-projektor projektin dhe kaq. Nuk kishte ekspertë për oponencë. Mes pjesëmarrësve në dëgjesën publike rezulton një që ka ndërruar jetë, dhe disa bashkëfshatarë. Ajo është dëgjesa publike që kryetarja e bashkisë pretendon se e ka bërë, në lokal”.
Një tjetër banor, Tafil Metushi tha:
"Në protestën e parë, shumica ishin që punojnë në sera. Të tërë ishin të revoltuar, pasi çdo ditë vijnë me dhjetëra kamionë, që furnizohen këtu. Ajo duhet të jetë 6 km larg qendrave të banuara. Ajo do të çlirojë gaz dhe tymra, që do të kthehen prapë në këtë tokë prodhuese. Kjo na vë në pozita alarmi, pasi ne kemi ndërtuar jetën tonë këtu, dhe s’kemi rrugë të mesme, këto do bien mbi prodhimet, mbi serat. Po ndotja, akustika, po në rast shpërthimi, po uji i kontaminuar?! Unë gjykoj, që përderisa mendohet që ky prodhim energjie do shkojë në Greqi, 75 do shkojë në Greqi, unë mendoj që është ligji i të fortëve. Shfrytëzohet territori dhe banorët e këtij vendi”.
Ndërkaq ambientalisti, eksperti Lavdosh Feruni tha:
"Shqipëria s’ka ekspertizë për TEC-e. S’do ketë bujqësi nëse ky TEC do ndërtohet. Ndotja është graduale. Një vit, dy vjet, tre, akumulohet ndotja, edhe impakti në shëndetin e njeriut është gradual. Është njësoj si ndotja me fosile të tjera, me naftën, fosilet. Takimet që janë fshehtas bëhen vetëm për një qëllim, që të futet në dosje, që është bërë ky takim. Edhe në Valbonë u vendosën firmat e 2-3 të vdekurve. 90 për qind është pronar kompania greke, 10 për qind ajo shqiptare. Ky është një lloj konolializmi i ri. Do bëhen dy TEC-e në Vlorë, gazifikimi i Korçës. Rama po thotë që në 2030 do bëhemi eksportues neto të energjisë, por s'e thotë që kjo do bëhet përmes TEC-eve”.



