Ministria e Drejtësisë ka ngritur një grup pune për procesin e verifikimit të funksionalitetit të byzylykëve elektonikë, të cilët përdoreshin për të dënuarit në arrest shtëpie. Edhe pse dje ishte parashikuar që të kryhej ky proces verifikimi, testimi nuk u bë i mundur. Ministria e Drejtësisë ka sqaruar edhe arsyet se pse ky testim i pajisjeve nuk u zhvillua sot.
Njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë
Në vijim të procesit të ditës së djeshme për marrjen nën ruajtje të byzylykëve elektronikë pranë Ministrisë së Drejtësisë, sot sipas proces-verbaleve të nënshkruara midis kompanisë dhe grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë, do të duhej të kryhej procesi i verifikimit të funksionaliteteve të pajisjeve, me qëllim përfundimin e procesit të marrjes së tyre në dorëzim.
Fillimisht u ra dakord që procesi sot të fillonte në orën 9.00. Përfaqësuesit e kompanisë nuk u paraqitën. Për këtë arsye, grupi i punës e njoftoi sërish kompaninë që procesi do fillonte në orën 16.00. Edhe në orarin e ri përfaqësuesit e kompanisë nuk u paraqitën. Grupi i punës ka vendosur që të bëjë testin e njërës prej pajisjeve për të parë funksionalitetin. Në varësi të këtij testimi, do të njoftohen edhe masat ligjore që do të marrë Ministria e Drejtësisë mbi këtë çështje.



