
Arrestohet në Elbasan një prej autorëve që tentuan të grabisnin me armë një biznesmen në Lushnjë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tjerë.
Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin Bukurosh Mukja, 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit "Parandalimi", për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve".
Shtetasi Bukurosh Mukja dhe 2 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, R. Ç dhe F. T., kishin planifikuar vjedhje me armë në Lushnjë, por falë inteligjencës informative, Policia e Lushnjës ka mundur të parandalojë vjedhjen me armë.
Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.
Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.



