Der Spiegel: Ballkani në protesta kundër sunduesve të korruptuar (VIDEO)

Der Spiegel: Ballkani në protesta kundër sunduesve të korruptuar (VIDEO)

Revista gjermane “Der Spiegel” u ka kushtuar një artikull protestave të zhvilluara javët e fundit në disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Duke iu referuar reagimeve në rrjetet sociale, “Der Spiegel” i cilëson si pranvera ballkanike protestat e mbajtura kundër qeverive në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

“Aktivistët në rrjetet sociale kanë nisur ta quajnë  “Balkan Spring”. Protestat në Ballkanin Perëndimor: në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri po demonstrojnë vazhdimisht qytetarë të pakënaqur kundër sunduesve të tyre të korruptuar dhe autoritarë. Secili rast u nxit nga raste individuale që fillimisht ofenduan një publik të vogël, por shpejt u shndërruan në një zemërim të gjerë dhe të përgjithshëm – në lidhje me klientelizmin, korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel qeveritar dhe një jetë me mungesë gjithnjë e më të madhe të perspektivave”, thuhet në shkrimin e gazetës së njohur gjermane.

Në rastin e Shqipërisë, “Der Spiegel” e sheh protestën e studentëve në dhjetor si hapin e parë të shprehjes së pakënaqësisë së qytetarëve me qeverinë.   

“Në Shqipëri, ndër të tjera, në dhjetor të vitit të kaluar, studentët filluan të demonstronin kundër taksave të shkollimit dhe kushteve të mjerueshme të jetesës. Ndërkohë, protestat janë drejtuar në përgjithësi kundër qeverisë socialiste të kryeministrit Edi Rama dhe kundër lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar”.

“Ende është e vështirë të parashikohet nëse protestat do të çojnë në ndryshime. Sidoqoftë, elementi kyç është dëshira e qytetarëve për më shumë demokraci dhe vendosmëria e tyre për të mos u frikësuar”, thotë politologu dhe eksperti i Ballkanit Perëndimor Vedran Xhihiç nga Universiteti i Vjenës për DER SPIEGEL.

Në Serbi, prej më shumë se dy muajsh, mijëra qyetarë mbushin rrugët e Beogradit çdo fundjavë, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiç.

Edhe në Mal të Zi, protesta masive janë mbajtur në Podgoricë, me kërkesën e largimit të presidentit malazez, Milo Gjukanoviç dhe kryeprokurorit për krimin e organizuar.

Ndërsa në Shqipëri, opozita ka mbajtur dy protesta pas dorëzimit të mandateve dhe ka paralajmëruar të tjera në javët e ardhshme.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve të njëkohshme, Bashkimi Europian vlerëson se nuk do të ketë një pranverë ballkanike. Zëdhënësja e BE për Çështjet e Jashtme, Maja Koçijançiç, në një deklaratë disa ditë më parë theksoi se protestat në të tri vendet kanë karakteristika të ndryshme dhe nuk lënë vend për krahasim.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy