Kryetari i KLGJ Ilir Rusi duke folur në Konferencën Kombëtare “Cilësia e drejtësisë” theksoi se reforma në drejtësi në këtë fazë të saj ka nevojë për infrastrukturë fizike.
Sa i përket cilësisë, ai vuri në dukje se ajo është relative, pasi nëse një çështje nuk zgjidhet në kohën e duhur mund të krijojë probleme të tjera të mbivendosura.
“Cilësi e drejtësisë do të thotë që sistemi është në nivel tjetër. Disa aspekte bazike, vakanca, buxhetim, teknologji, besoj janë tejkaluar. Cilësia ndonjëherë është edhe relative, për faktin se duhet dhënë në kohë. Nëse një çështje nuk zgjidhet në kohën e duhur, mund të ketë krijuar koha një problem tjetër që mbivendosen mbi njëra tjetrën. Vërtet ka vakanca, por aq sa është e mundur të ketë vakanca. Infrastruktura teknologjike po përmirësohet. Infrastrukturë fizike nuk ka. Të krijosh mjedise sa më të mira, aq më tepër për magjistratët, s’është një luks por domosdoshmëri. Reforma është në fazën e tretë të saj, kërkon infrastrukturë. Cilësia lidhet me profesionalizmin, duke rritur profesionalizmin rritim cilësinë”.



