
Deputeti socialist Alqi Bllako ka dorëzuar pasditen e sotme kërkesën në Kuvend, me anë të së cilës heq dorë nga mandati i deputetit.
Një veprim i tillë vjen teksa prokuroria e posaçme SPAK, kërkoi një ditë më parë arrestimin e Bllakos, si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Ndërkohë pikërisht për këtë kërkesë Kuvendi ka parlajmëruar se në orën 18.00 do të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në letrën e dorëheqjes, Bllako shpreh bindjen në pafajësinë e tij dhe se e lë mandatin, për t’u gjykuar pa kushte nga drejtësia.
Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia ime, integriteti dhe ndershmëria në detyrën e ushtruar me këtë akt personal vihem në dispozicion të drejtësisë duke gjykuar t’i hap rrugën të pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë.
Një ditë më parë Bllako shkroi në rrjetet sociale, se do ti paraqesë Kryetares së Kuvendit dorëzimin e mandatit të deputetit, në mënyrë që të përballet me akuzën pa asnjë privilegj.



