BE-ja ka njoftuar hetime ndaj disa prej firmave më të mëdha të teknologjisë në botë për praktika jo konkurruese.
Meta, Apple dhe Alphabet, që zotërojnë Google, po shqyrtohen për shkelje të mundshme të Aktit të Tregjeve Dixhitale (DMA) i prezantuar në 2022.
Nëse zbulohet se kanë thyer rregullat, firmat mund të përballen me gjoba të mëdha deri në 10% të xhiros së tyre vjetore.
Shefi antitrust i BE-së Margrethe Vestager dhe kreu i industrisë Thierry Breton njoftuan hetimet të hënën.
Vetëm gjashtë kompani kanë detyrime sipas DMA, por ato janë gjithashtu firmat më të mëdha të teknologjisë në botë: Alphabet, Apple, Meta, Amazon, Microsoft dhe ByteDance.
Asnjë nga firmat nuk është në të vërtetë me bazë në Evropë, pesë prej tyre janë në SHBA, ndërsa ByteDance ka selinë në Pekin.
Tre prej tyre tani po përballen me pyetje vetëm dy javë pasi kanë dorëzuar raportet e tyre të pajtueshmërisë, të cilat do të jenë përpiluar me përpikëri.
Ajo vjen tre javë pasi BE-ja gjobiti Apple me 1.8 miliardë euro (1.5 miliardë £) për shkeljen e ligjeve të konkurrencës mbi transmetimin e muzikës.
Por, një zëdhënës i Apple thotë se kompania do të angazhohet në mënyrë konstruktive me hetimin pasi janë të sigurt se plani i tyre përputhet me Aktin e Tregjeve Dixhitale dhe se nuk ka shkelje nga ana e tyre.
Gjithashtu, kompania ka bërë të ditur se ekipet e saj kanë krijuar një sërë mekanizmash për të respektuar legjislacionin historik të BE-së, mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë për përdoruesit evropian.
Ndryshe, Bashkimi Evropian do të hetojë pesë raste të ndryshme ku dyshohet për shkelje rregullash:
1 dhe 2 – Nëse Apple dhe Alphabet nuk po i lejojnë aplikacionet të komunikojnë lirshëm me përdoruesit dhe të bëjnë kontrata me ta
3 – Nëse Apple nuk po u jep përdoruesve zgjedhje të mjaftueshme
4 – Nëse Meta po u kërkon njerëzve në mënyrë të padrejtë të paguajnë për të shmangur përdorimin e të dhënave të tyre për reklama
5 – Nëse Google preferon mallrat dhe shërbimet e vetë firmës në rezultatet e kërkimit
Të pesë rastet janë të përqendruara te konsumatorët dhe janë të lidhura me shumicën e njerëzve që përdorin shërbime nga këto kompani, e që së bashku janë miliarda njerëz në mbarë botën.
Hetimi thuhet se do të zgjasë rreth 12 muaj për t’u përfunduar.



