Dashuria dhe pasioni në 10 vepra arti (FOTO)

Dashuria dhe pasioni në 10 vepra arti (FOTO)

Dashnorë nën presionin e kohës dhe në krevat, puthje pasionante, por edhe me shijen e lotëve. Dashuria dhe seksi në të gjitha format e tyre, të përmbledhura në një galeri të pikturave më të famshme në botë.

“Puthja” nga Gustav Klimt

Dashuria, sensualiteti dhe romantizmi bëhen bashkë në veprën-ikonë të piktorit austriak. E realizuar mes viteve 1907 dhe 1908, “Puthja” është një nga pikturat më të famshme të artit bashkëkohor, e karakterizuar nga forma të buta dhe ngjyra të arta që u japin hijeshi dy protagonistëve, të cilët janë përfshirë në një puthje sensuale. Piktura në vaj është e ekspozuar në Belvedere Österreichische Galerie në Vjenë.

“Amore e Psiche” nga Antonio Canova

Mes viteve 1788 dhe 1793, Antonio Canova krijoi skulpturën në mermer të bardhë, e cila tani ndodhet në muzeun e Luvrit në Paris. Skulptori venecian bëri tre kopje të kësaj vepre, në secilën prej të cilave dy protagonistët portretizohen në poza të ndryshme. Canova ka përjetësuar në mermer momentin kur një puthje e Erosit (varianti në mitologjinë greke) zgjon Psiken, e cila ishte vënë në gjumë të thellë nga perëndesha Proserpina.

“Mbi qytet” nga Marc Chagall

Dy të dashuruar, të kapur pas njëri-tjetrit, fluturojnë mbi qytet drejt një jete të re. Ky është mesazhi që piktori bjellorus, Mark Chagall, përcjell nëpërmjet tablosë së tij të realizuar në vitin 1918. Sot ajo ndodhet e eskpozuar në Tretyakov Gallery, në Moskë. Më shumë se një pikturë, ajo është një poezi plot shpresë, që autori avangard, pak kohë pas revolucionit rus, i drejton qytetit Vitebsk dhe gruas së tij Bella Rosenfeld, dashuria e jetës.

“Puthja” e Francesco Hayez

Puna e piktorit milanez, Francesco Hayez, konsiderohet  manifesti i romantizmit italian në pikturë. E punuar në vitin 1859 dhe e ruajtur në Pinacoteca di Brera në Milano, piktura është realizuar në tre kopje me ngjyra dhe tonalitete të ndryshme të veshjeve të protagonistëve. Puthja, para një lamtumire, është plot pasion dhe dashuri; largimi i burrit që tregohet nga njëra këmbë e vendosur në shkallë të bën të mendosh për ndarjen që vjen më pas, duke ia shtuar pathosin të gjithë skenës së paraqitur në telajo.

Hektori dhe Andromaka nga Giorgio De Chirico

Në muzeun e hapur në Bilotti, në Kozenca, mund të admirohet vepra “Hektori dhe Andromaka”, të cilën Giorgio De Chirico e krijoi në vitin 1917. Piktura paraqet një moment të historisë që e ka origjinën në mitologjinë greke. Hektori përshëndet Andromakën për herë të fundit, përpara se të shkojë në dyluftimin me Akilit. Ai e di se nuk do të kthehet më, megjithatë shkon drejt fatit të tij. De Chirico i paraqet dy partnerët si dy manekinë në duart e fatit.

“Pa titull” nga Keith Haring

Është një nga vizatimet më të famshme të Keith Haring, e bërë në vitin 1988 dhe e ekspozuar në Hamilton Selway Fine Art, në Hollivud. Një nga veprat më të njohura të piktorit dhe shkrimtarit amerikan, i cili vdiq nga SIDA në moshën 32-vjeçare. Megjithë vdekjen e parakohshme, stili i Haring ka hyrë në memorien kolektive të shekullit XX: veprat e tij karakaterizohen nga personazhe të stilizuar dhe dydimensionale dhe përdorimi i ngjyrave të ndritshme i ngjan atyre të grafikës së reklamave. Në këtë vizatim del në pah ideja e tij personale për dashurinë: dy qenie, seksi i të cilave nuk mund të identifikohet, të cilët kërcejnë në shkrimet për ndjenjën.

“Adami dhe Eva” nga Tamara De Lempicka

Dy trupa të zhveshur në një përqafim intesiv dhe posesiv: është një nga mënyrat që ka zgjedhur piktorja  ruse Tamara Rosalia Gurwik-Gorska (De Lempicka pas martesës), për të përshkruar dashurinë në vitin 1932. Muskujt e fuqishëm të Adamit, e vetmja nudo mashkullore që ka pikturuar ndonjëherë piktorja, dhe trupi i bardhë e i brishtë i Evës bëjnë kontrast. Piktura është blerë nga këngëtarja dhe aktorja Barbra Streisand, e cila në vitin 1994 ia shiti dikujt tjetër për më shumë se dy milionë dollarë.

“Dashnorët” e René Magritte

Është një nga veprat më të famshme surrealiste të René Magritte, e ekspozuar në Moma, në Nju-Jork. E bërë në vitin 1928, piktura paraqet një çift të mbuluar me një copë, që përqafohen dhe puthen. Në këtë mënyrë, piktori tregon vështirësinë e shprehjes së dashurisë. Në funksion të kësaj ideje, mendimet dhe koka janë paraqitur të mbuluara nga një perde.

“Papyrus 55001”

Papirusi me numrin 55001 mbahet në muzeun egjiptian në Torino, një dokument tejet delikat që tregon historinë e erosit gjatë dinastisë së Ramsesit, në vitin 1150 para Krishtit. I restauruar kohët e fundit, ky papirus ndahet në dy pjesë: një, pothuajse plotësisht i shkatërruar, ka si temë kryesore satirën, ndërsa i dyti, më i paprekur, është një lloj Kamasutre e egjiptianëve të lashtë. Papirusi tregon historinë e një gruaje egjiptiane dhe mënyrën se si ajo bënte dashuri, duke përfshirë pozicionet që janë një akrobaci e vërtetë seksuale.

Afresket erotike të Lupanariello-s

Zbulimet arkeologjike të Pompeit nxorën në dritë Lupanariello-n, një zonë e restauruar së fundmi që në kohën kur shpërtheu vullkani ka qenë një hapësirë ku praktikohej prostitucioni. Kjo është zbuluar nga katër afreske erotike që dekorojnë dhomën, e cila ishte e rrethuar për të garantuar privatësinë e klientëve. Shtëpia në fjalë doli në dritë në vitin 1878, por restaurimi dhe hapja për publikun u bënë vetëm dy muaj më parë. Afresket me temë erotike paraqesin moment nga ajo që ndodhte në bordellot e Pompeit të lashtë. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy