Shteti i Nju-Jorkut në SHBA që u bë epiqendra e shpërthimit të Covid-19 në vend, do të lejojë që farmacitë të kryejnë teste për virusin. Njoftimin e ka dhënë vetë guvernatori i Nju-Jorkut.
Andrew Cuomo tha se rreth 5000 farmaci do të jenë në gjendje të kryejnë testime, me qëllim që të sigurohet testimi i rreth 40 000 personave në ditë.
SHBA-ja ka më shumë se 938 000 raste të konfirmuara. Pothuajse një e treta e 53 751 vdekjeve ka ndodhur vetëm në Nju-Jork.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump nuk e mbajti konferencën e tij të përditshme, duke thënë se nuk ia vlen "koha apo përpjekja" e tij.
Ai ka fajësuar mediat që nuk bëjnë "asgjë veç pyetjeve armiqësore". Trump u kritikua shumë pasi sugjeroi në konferencën e lajmeve në Shtëpinë e Bardhë të enjten se dezinfektuesi mund të përdoret si një trajtim për virusin.
Vërejtjet e tij janë dënuar si të rrezikshme nga mjekët dhe prodhuesit, pasi dezinfektuesit janë substanca të rrezikshme dhe mund të jenë helmuese nëse gëlltiten.



