Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë ligjzbatuese, ka finalizuar arrestimin në Brazil të 39-vjeçarit shqipatr WErvin Mata, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.
Sipas autoriteteve, 39-vjeçari dyshohet se ka pasur rol koordinues në një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin e 240 kilogramëve kokainë. Ai akuzohet se ka organizuar dhe drejtuar bashkëpunëtorët e tij në aktivitetin kriminal me shtrirje në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa vende të Europës.
Arrestimi është realizuar në qytetin Ilha Bela të Brazilit, pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe Interpol Brasilias. Gjatë qëndrimit të tij në Brazil, ai përdorte dokumente identifikimi britanike të falsifikuara.
Hetimet për këtë rast janë zhvilluar në kuadër të një procedimi të SPAK të vitit 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të disa shteteve europiane dhe amerikano-latine, përfshirë Belgjikën, Francën, Holandën, Gjermaninë, Brazilin dhe Kolumbinë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij në vitin 2023 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet braziliane për finalizimin e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.



