Eksperti i integrimit Gledis Gjipali duke folur përmes një lidhje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV i konsideroi pozitive mesazhet e Komisioneres për Zgjerimin në BE Marta Kos për Shqipërinë. Gjipali theksoi se grup-kapitulli gjashtë është më i thjeshti, pasi Shqipëria i ka 100 për qind në përputhje me BE-në marrëdhëniet me jashtëm. Ai vuri në dukje se institucionet e tjera, përfshirë Kuvendin, nuk duhet t’ia lënë ekzekutivit gjithë kontrollin e procesit të integrimit europian.

“Janë mesazhe pozitive, për faktin që e nis mandatin e saj me Shqipërinë. Mbështetja për procesin dhe në vijim u dha qartë, për faktin se Shqipëria dallon në rajon vitet e fundit ve çanërisht, për grup-kapitujt që u hapën, marrëdhëniet me jashtë ku Shqipëria ka qenë 100 për qind e përputhur me BE-në. Sinjali pozitiv ndihmon proces dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të ndjekin të njëjtën linjë sa i takon politikës së jashtme dhe sigurisë, për t’u linjëzuar me BE-në. Çështja e transparencës është një problematikë e hershme, sigurisht ka nevojë për më shumë transparencë, jo vetëm politikë, por edhe jo shtetërore. Përgjegjësinë kryesore dhe udhëheqjen e ka ekzekutivi. Do të thoja që institucionet e tjera, përfshirë Kuvendin, kanë një rol të rëndësishëm në proces. Duhet të luajnë rolin e tyre dhe të mos ia lënë ekzekutivit gjithë kontrollin e procesit të integrimit europian. Duhet të jetë proces i hapur dhe të përfshihen kontribute nga të gjithë aktorët, që kanë ca të japin, e njohin procesin. Na favorizon shumë që këta kapituj të jenë kapitujt e parë që të mbyllen. Ky është grup-kapitulli më vogël, ka vetëm 2 kapituj. Hapja bën që të hartohet një plan i përbashkët pune se si do arrihet përputhja e plotë që të mbyllen këto kapituj. Sa i takon këtyre dy kapitujve patjetër që jemi duke ecur me hapa të shpejtë. Dihet që këto janë kapitujt më të lehtë të Shqipërisë. Por s’janë kapituj tipikë, kanë pak legjislacion dhe pak ndikim në reformat e brendshme të vendit. Grup-kapituj të tjerë të rëndësishëm janë ato që kanë të bëjnë me katër liritë, lirinë e tregut, që kërkojnë edhe angazhimet e grupet e interesit, biznesit. Rëndësi kanë grup-kapitujt që kanë të bëjnë me klimën dhe mjedisin, sepse kanë standarde dhe kosto të larta, po ashtu zhvillimi rural, që bën fjalë për fermerët”.



