Vitali Klitschko, kryebashkiaku i Kievit, i drejton një thirrje për furnizim me më shumë armë mbrojtëse, ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Është shumë e rëndësishme në këto momente, kemi nevojë për armë mbrojtëse. Çdo agresor që kërkon të sulmojë Ukrainën duhet ta kuptojë se ata do të paguajnë një çmim shumë të shtrenjtë. Ne jemi gati të luftojmë”, tha Klitschko, gjatë konferencës për Siguri në Mynih të premten.
Baerbock vuri në dukje se ukrainasit kishin kërkuar helmeta dhe se ekziston një listë e re e kërkesave nga Ukraina, dhe Gjermania po e shqyrton se çfarë tjetër mund të bëjë.
Gjatë diskutimeve, Baerbock foli gjithashtu për kufizimet që ka Gjermania kur bëhet fjalë për shitjet e armëve për shkak të historisë së saj.
“Për shkak të historisë sonë, ne kemi këtë legjislacion, nuk u shesim armë të gjithëve, por vetëm partnerëve tanë, partnerëve të NATO-s dhe të Bashkimit Europian”, deklaroi kryediplomatja gjermane.
Nga ana e tij Blinken tha se vendet nuk po koordinohen vetëm me njëri-tjetrin, por se po veprojnë në një mënyrë që është plotësuese me njëra-tjetrën.



