Gazetari Flogert Muça duke folur në MCN Live foli për një retorikë në funksion të narrativës që po ndërtohet për zgjedhjet atë të palëve lidhur me amnistinë penale dhe projekt-rezolutën anti-korrupsionit. Muça tha që kemi të bëjmë me një “Big Brother” ku secili kërkon vendimin e tij. Sipas tij rezoluta do jetë pjesa e luanit të programit të Ramës për zgjedhjet e vitit 2025, dhe sipas tij mazhoranca është koordninuar me ndërkombëtarët.
Ka filluar fushata elektorale dhe nëse Rama do ta miratonte ligjin e amnistisë me Bashën do kërkonte interpelancë Gazi. Tani që Rama e firmosi këtë ligj me Gazin dhe doktorin do kërkojë llogari Basha. Është shumë e thjeshtë ajo që pritet të ndodhë zgjedhjet e ardhshme. E gjithë fushata elektorale do jetë e fokusuar në raportim me drejtësinë e re. Nga njëra anë kemi Bashën që Berisha dhe Rama janë bërë bashkë, do ndryshojnë Kushtetutën, do kapin SPAK-un. Rama do thotë që unë e kam bërë reformën në drejtësi, të mijtë janë para drejtësisë, unë s’mbaj njeri, s’jam si doktori. Doktori do thotë që Basha është shërbëtor i Ramës, është i shitur, oligarkët, vilat. Më shumë sec i qajnë hallin amnistisë, është një retorikë që është në funksion të narrativës që po ndërtohet për zgjedhjet. Basha do jetë i vetëm përballë ‘dinosaurve’ të mëdhenj. Kështu do ta projektojë dhe ndërtojë ai imazhin e tij. Doktori është e vetmja opozitë reale, sipas doktorit, përballë Ramës dhe ‘regjimit’. Edi Rama thotë unë jam e vetmja shpresë sepse me një non grata dhe një ‘artist gjumash’ si Basha s’mund të shkojë vendi drejt BE-së, dhe të gjitha në një farë mënyre janë retorikë politike, propagandë, që i shërbejnë njërës apo tjetrës. Një lloj Big Brother-i i madh ku secili do të marrë vëmendjen e tij, sepse kishte kohë që s’dilte në prime.
Rezoluta do jetë pjesa e luanit të programit të Ramës për zgjedhjet e vitit 2025. Me këtë rezolutë ka bërë që shumë propozime sporadike i ka përkthyer në 8 pika, ku sigurisht unë mendoj që s’ka bërë asnjë hap pa u konsultuar me SHBA-BE. Shqetësimi për futjen e hundëve te SPAK-u është legjitim si shqetësim. Ajo që unë shoh si garanci apo siguresë është neni i famshëm 8, ku përmenden partnerët strategjikë BE dhe SHBA, dhe i gjithë procesi nuk do të cenojë në asnjë mënyrë kuadrin ekzistues ligjor. Me gjithë tentativat që mund të ketë pasur mazhoranca, fakti që janë në rezolutë këto, dhe përgjigjja që vjen nga SHBA, besoj që është një koordinim i mazhorancës me ndërkombëtarët. Në finale vendimtarë janë ndërkombëtarët. Bëhet fjalë për një komision që do jetë shumë më i madh dhe gjithëpërfshirës se ai i reformës në drejtësi. Ndërkombëtarët po duan që të njëjtën pavarësi që ia kanë dhënë SPAK-ut, pse të mos e ketë psh. ILDKPI”.
Muça thotë që Basha është kthyer në një parti pa valencë politike në Parlament, dhe "po kërkon të futet në fushë".



