Marrëveshja e arritur më 17 qershor mes Maqedonisë dhe Greqisë do të triumfojë apo jo, kjo ka qenë pyetja e të gjithëve këtë të dielë. Gazetari i Tema Televizion, Mariglen Kume, i cili ka ndjekur nga afer procesin e referendumit në Maqedoni, ka sjellë një pasqyrë më të qartë të procestit të votimit.
Pjesëmarrja në votim ka qenë tepër e ulët, fakt që është raportuar gjatë gjithë ditës. Ndërsa gjatë intervistave të disa prej votuesve, ata janë shprehur pro ndryshimit të emrit.
Kryetari i një prej qendrave të votimit, Enver Cobani, ka thënë se deri në mesditë kishin votuar vetëm 25%. Ndërsa Azbi Topalli pohoi se kanë votuar vetëm 18%.
Që referendumi të rezultojë i suksesshëm duhet të votojnë 900 mijë, pra më shumë se 50 % e qytetarëve me të drejtë vote. Ndërkohë që orari zyrtar i votimit tashmë ka përfunduar, dhe pritet vendimi përfundimtar, nëse marrëveshja është pranuar apo referendum dështoi.
Pas përfundimit të orarit, një grup qytetarësh janë grumbulluar para Kuvendit dhe po protestojnë kundër Marrëveshjes me Greqinë. Ata kanë vendosur një podium para Kuvendit dhe po mbajnë fjalime kundër referendumit të sotëm ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Zaev. Nga ana tjetër janë vërejtur forca të shtuara të policisë dhe kanë krijuar edhe një kordon para tij.



