
Kur kanë kaluar rreth 1 mauj nga vrasja e e politikanit serb në veri të Mitrovicës Oliver Ivanoviç, Prishtinë zyrtare ka shfaqur pakënaqësi ndaj autoriteteve të Beogradit, pasi nuk po i ndihmojnë me informacione në lidhje me zbardhjen e vrasjes.
Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, i ka nisur katër kërkesa, me shkrimë Qeverisë së Serbisë por asnjë prej tyre nuk është kthyer në Prishtinë me përgjigjet në lidhje me informatat që u janë kërkuar.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thekson se autoritet serbe deri më tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje nga katër shkresat sa kanë dërguar autoritetet e Kosovës në adresë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë.
“Gjatë kësaj jave ne do të dërgojmë edhe një kërkesë tek autoritet serbe në Beograd, përmes së cilës do të kërkojmë të na bëjnë të ditur statusin e këtyre katër kërkesave. Do të thotë se ku janë. A kanë vullnet të na përgjigjen në to apo si qëndron puna”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
Institucionet e Republikës se Kosovës, nënvizoi Tahiri, kanë vullnet që të bashkëpunojnë me palën serbe në Beograd, sa i përket zbardhjes së vrasjes së politikanit serb.
Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, tha Tahiri, i është përgjigjur Ministrisë së Drejtësisë në Beograd, në secilën kërkesë që ka dërguar.
“Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që kryesit e kësaj vepre t’i nxjerrim sa më parë para drejtësisë. Kemi bërë progres jashtëzakonisht të madh në këtë drejtim. Ne kemi vullnetin që të bashkëpunojmë edhe me palën serbe, me Qeverinë e Beogradit, në rast se kanë mundësi të na ndihmojnë çfarëdo prove, që kryesit e kësaj vepre t’i nxjerrim para drejtësisë”, tha Tahiri.
Ivanoviç, ishte qëlluar për vdekje më 16 janar, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.



