23 arrestime të reja, mes të cilëve ish-funksionarë të BDI-së janë ndaluar për ngjarjen tragjike të ndodhur në Koçan të Maqedonisë së Veriut, ku humbën jetën 61 persona.
Eksperti i sigurisë në Maqedoninë e Veriut Bashkim Selmani tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se qeveria aktuale në Maqedoninë e Veriut po bashkëpunon me Serbinë që të dëmtojë dhe njollosë shqiptarët.
Ai tha se vetëm një hetim i pavarur ndërkombëtar rikthen shpresën, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të reagojnë.
“Është fakt se Maqedonia e Veriut dhe sistemi gjyqësor i saj, nuk dalin nga mendësia komuniste, nga mendësia korruptive, anashkalimi i shtetit të së drejtës, dhe përplasja drejtpërsëdrejti atje ku ka faj dhe fajësi, të njollosë shqiptarët. Kjo s’i bën nder as gjendjes aktuale, as historikut të zhvillimeve dhe ngjarjeve në përgjithësi. Janë tre aspekte, i politikës shqiptare, ku në të kaluarën në këto raste të montuara, politika shqiptare s’është mbrojtur në mënyrë dinjitoze pasi subjektet kur janë pushtet s’i shohin këto padrejtësi reale ndaj shqiptarëve.
Serbia edhe në këtë rast ka përfituar në mënyrë perfide. Kjo është tragjedia e tretë më e rëndë me viktima. Edhe kjo tragjedi e ka fatin e tragjedive në të kaluarën, ku qasja e hetimit, ka marrë qasje jo reale. Ka një diskrecion mes qeverisë dhe opozitës, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo direkte të goditen shqiptarët. Autorët sllavë në përgjithësi duan që këto kurdisje t’ua hedhin shqiptarëve, sepse çdo fajësi u është hedhur shqiptarëve.
Shqiptarët duhet të reagojnë. Të gjithë së bashku të kërkojmë hetim ndërkombëtar, në mënyrë neutrale, apo të pavarur, dhe vetëm atëherë mund të rikthehet besimi. Duan t’i japin pistës së hetimit kahje nacionale, dhe nuk kemi asnjë të ndaluar nga qeveria aktuale. Kjo thellon vdekjen e dytë ndaj viktimave. Qeveria bën jo vetëm de-fokusim, por edhe reprezalje që mos ketë protesta".



