Në një raportim nga Manza gazetari i MCN Tv Andon Kello bëri me dije se situata pranë kampit “Ashraf 3” tashmë është qetësuar. Kello mëson se ndërhyrja e sotme është diskutuar gjatë Këshillit të Sigurisë, të mbledhur një javë më parë nga Presidenti Begaj. Dyshohet se brenda kampit ndodhej një server që kryente sulme kibernetike ndaj institucioneve të huaja. “Sipas zyrtarëve të MEK ka një viktimë. Ishte banor i kampit prej vitit 2014. Kjo ishte ndërhyrja e parë prej 10 vitesh që kur muxhehedinët iranianë u vendosën në Manëz. Ata akuzojnë Ali Khamenei-n për një marrëveshje të fshehtë me qeverinë shqiptare. Nga burimet kjo çështje, kjo ndërhyrje, është diskutuar edhe gjatë Këshillit të Sigurisë, të mbledhur një javë më parë nga Presidenti Begaj. Dyshohet se brenda këtij kampi ka pasur një server, nuk është konfirmuar ende nga institucionet shqiptare, që kryente sulme kibernetike ndaj institucioneve të huaja. Operacioni ka qenë masiv, pasi kanë qenë me qindra policie që zbarkuan në ‘Ashraf 3’. Mësohet të ketë pasur rezistencë nga banorët. Pritet të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore e trupit të pajetë. Kampi ka forca të sigurisë që dyshohet se janë përleshur me Policinë shqiptare çfarë ka sjellë një numër të lartë të plagosurish. Sipas MEK janë 150 të plagosur. Por si viktimat si të plagosurit janë mohuar totalisht nga Policia”, thotë gazetari Kello. Operacioni nisi në orën 08:00 të mëngjesit dhe u drejtua nga drejtori i përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrrumbullaku. Ky i fundit i dorëzoi fillimisht një urdhër kontrolli drejtuesve të kampit dhe Policia me urdhër të GJKKO dhe me kërkesë të prokurorit të SPAK Vladimir Mara ka ndërhyrë brenda kampit.



