Kryeministri Edi Rama as në seancën e sotme parlamentare, nuk kaloi pa ironizuar opozitën që ai e quajti “Partia Demokratike Rrugore” dhe protestat e saj, duke deklaruar se nuk ndryshohet qeveria apo maxhoranca duke kërcënuar, shantazhuar e hedhur kapsolla.
“Të vijnë si vëzhgues në zgjedhje ata të ikurit, pasi kemi një PD parlamentare dhe një rrugore. Me ata rrugorët jemi gati të diskutojmë në një pit stop, por s’mund të dalim në rrugë në një garë kush hedh më shumë kapsolla”- ironizoi Rama.
Rama përsëriti ofertën se qeveria është e gatshme për dialog edhe me ata që sipas tij, “janë te dhënë pas kapsollave”:
"Nuk mund të vazhdojmë më të jemi mish për top. Të vijë në shtëpi. Me një draft të dakordësuar nga OSBE do kërkojmë të shtrëngohet me ligj rrethi i atyre që e kanë kthyer botën mediatike në llum dhe që e bëjnë të pamundur njerëzit të ndajnë kush informon dhe kush shpif. Jemi gati të bëjmë bashkëpunimet e duhura. Jemi gati të pranojmë komunikojmë edhe me ata që janë të dhënë pas kapsollave. Jemi gati në komisionin e reformës zgjedhore, kanë vendin e tyre si vëzhgues me status special. Nuk kemi cfarë bëjmë. Kemi një PD parlamentare dhe një parti demokratike rrugore. S'kemi ca bëjmë. Jemi gati të dialogojmë në pitstop.", deklaroi kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka folur sot për herë të parë lidhur me çështjen aq aktuale të këtyre ditëve, që ka të bej me mocionin e votuar në parlamentin holandez, përmes së cilës i kërkon Brukselit rikthimin e vizave për shqiptarët. Rama qetësoi shqiptarët duke garantuar se nuk do të ketë rikthim vizash dhe se vendimi është politik:
“Është një procedurë parlamentare që nuk ka asnjë implikim të drejtpërdrejt në lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Për të shpjeguar pak më konkretisht se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere, asnjëra nuk përkon me realitetin e faktorit shqiptar në Holandë. Ministri për Drejtësinë në Holandë ka fjalën e tij reagoi duke thënë këtë, ‘nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për ta adresuar’.Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa që në bazë të vendimit të parlamentit, në kushtet e një fushatë elektorale, që ti drejtohet KE-së dhe pastaj KE-ja nëse ka adresim nga qeveria holandeze e shqyrton kriteret që sapo fola”, tha Rama sot në Parlament.



