
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, thotë se asnjë lloj imuniteti nuk mund të mbrojë zyrtarët e policisë apo politikanët e përfshirë në organizata kriminale.
Në seancën e sotme në Parlament, Xhafaj tha se ata që kanë mbështetjen e eksponentëve të krimit nuk do të kursehen.
“Siguroj se çdo politikan apo zyrtar i policisë i përfshirë në organizata kriminale apo që ka mbështetjen e eksponenteve të organizatave kriminale, ju garantoj si ministër se asnjë imunitet nuk do ta mbrojë”, tha Xhafaj.
Ndërsa deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha se disa prej ish-drejtuesve të policisë që kanë bahkëpunuar me krimin ia kanë dalë të largohen, ndërsa ë tjerë kanë statusin e “të paprekshmëve”.
“Tre drejtues në arrati. Premtove që do të bëje një kallëzim penal. Policia e Rendit e cila teksa ministri i Brendshëm përgjohej nga italianët, përgjonte vetë këtu brenda. Raporti i DASH tregoi se Shqipëria përveçse eksporton kanabis, është vend tranzit i drogave të forta. Ky pra është fundi pa lavdi i policisë që duam, fundi pa lavdi i çunave që kanë çarë ferrën sot. Policia u shndërrua në burgosëse të gjynahqarëve. Duhet bërë vetingu, po kush ta bëjë? Edi Rama, arkitekti i kësaj katrahure? Saimir Tahiri? Ai duhej të ishte i pari që të hiqte dorë nga imuniteti”.



