
Pas ngjarjeve të mbrëmshme ku ishin të përfshirë punonjës policie, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore, për zbardhjen e ngjarjeve, ka bërë të ditur Shërbimi i Brendshëm, përmes një njoftimi zyrtar.
Pjesëmarrës në hetim është dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.
Mbrëmë në Tiranë u regjistruan dy incidente me efektivë, njëra prej tyre me pasojë vdekjen.
Fillimisht në Komisariatin Nr.3, në rrethana ende të paqarta, një polic 25-vjeçar me iniciale L.Z., plagosi me armën e shërbimit kolegun e tij, i cili më pas ndërroi jetë në spital. Viktima ishte inspektori 55-vjeçar me iniciale Ç.S.
Grupi i posaçëm hetimor u gjend në ambientet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.
Pak çaste më pas u regjistrua një tjetër incident, ku u përfshi sërish një efektiv, kësaj radhe i Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në Komisariatin e Policisë Nr. 6, punonjësi i policisë 48-vjeçar me iniciale L.GJ., plagosi me armë zjarri një shtetas 64-vjeçar me iniciale M.L..
Sipas njoftimeve zyrtare, efektivi i FNSH-së ishte në gjendje të dehur.
Edhe në këtë rast, grupi i posaçëm hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale.
Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambientet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore.



