
Ministria e Jashtme e Sllovakisë thotë se është e shqetësuar pasi Wolves Night, (Ujqërit e natës) grupi më i madh i motoçiklistëve rusë, që njihet si një grup pranë Presidentit Vladimir Putin, tani kanë një bazë në Sllovaki.
Baza ka automjete të vjetra ushtarake dhe shtrihet në Dolna Krupa, një fshat 70 km nga kryeqyteti Bratislavë.
Qeveria ruse e quan atë "selinë europiane" të Ujqërve të Natës, ndërsa grupi i motoçiklistëve është nën sanksione nga SHBA, pasi janë të akuzuar për ofrimin e ndihmës ushtarake për rebelët pro-rusë në Ukrainë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme sllovake, Peter Susko, tha për BBC se aktivitetet e "Ujqërve të Natës" do të duhet të "monitorohen me kujdes".
"Ne mendojmë se ndikimi i anëtarëve të tyre është i dëmshëm, sidomos në përhapjen e mendimeve të tyre përmes të cilave përpiqen të rishkruajnë historinë", tha ai në një intervistë telefonike.
Kur u pyet për të specifikuar opinionet kontradiktore, ai tha: "Për "Ujqërit e Natës", Krimeja ka qenë, është dhe do të jetë ruse, Stalini ishte një hero i madh, NATO është një organizatë kriminale, etj".
Sllovakia është anëtare e NATO-s dhe e BE-së. Më parë pjesë e Çekosllovakisë komuniste, ishte një aleat i Moskës gjatë Luftës së Ftohtë.
Një grup nacionalist sllovak i quajtur NV Europa, i udhëhequr nga Jozef Hambalek, po ndan kompleksin me Ujqërit e Nates. Javën e kaluar, ai kërcënoi gazetarët e Radios Europa e Lirë / Radio Liberty, që po filmonin jashtë bazës.
Motoristët rusë thonë se ata po e kthejnë vendin në një muze të Luftës së Dytë Botërore që nderon njësitë sovjetike që përdorën motoçikleta.
Udhëheqësi i tyre, Aleksandër Zaldostanov, i njohur si "Kirurgu", është shfaqur shpesh me Presidentin Putin. Në të vërtetë, në vitin 2011 Putin hipi në një motor së bashku me "Ujqërit e natës" në një festival motorësh në Novorossiysk.
Në vitin 2013, Putin i dhuroi një medalje nderit Zaldostanov, duke treguar edhe njëherë mbështetjen pro tij.

Qeveria amerikane akuzon "Ujqërit e Natës" për përfshirje të drejtpërdrejtë në konfliktin e Ukrainës.
Zaldostanov është midis shumë figurave politike dhe ushtarake të Rusisë në listën e sanksioneve, të akuzuar për përfshirje në aneksimin rus të Krimesë në vitin 2014, ose revoltën e separatistëve në Ukrainën lindore.
Qeveria amerikane thotë se "Ujqërit e Natës" kanë qenë të lidhur ngushtë me shërbimet speciale ruse, kanë ndihmuar për të rekrutuar luftëtarë separatistë për Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë, dhe u vendosën në qytetet e Luhansk dhe Kharkiv".
Ajo thotë se gjatë aneksimit të Krimesë, "Ujqërit e Natës" morën pjesë në sulmin e stacionit të shpërndarjes së gazit në Strikolkove dhe në sulmin e Shtabit të Forcave Detare të Ukrainës në Sevastopol".

Televizioni sllovak Noviny raporton se "Ujqërit e Natës" kanë më shumë se 5 000 anëtarë dhe degë në disa vende evropiane, përfshirë Serbinë, Rumaninë, Maqedoninë dhe Bullgarinë.
Sllovakia është në rrugën e motoristëve kur ata kalojnë nëpër Evropë çdo vit për të shënuar përvjetorin e fitores së WW2.
Në vitin 2016, Letonia përjashtoi shefin lokal të "Ujqërve të natës", Igor Lakatosh, për arsye sigurie. Dhe Polonia i ndaloi motoristët të hyjnë në vend një veprim që shkaktoi zemërimin e Ministrisë së Jashtme ruse.



