
Rusia mund t’i zhvendosë armët e saj bërthamore jo shumë larg brigjeve amerikane, duke rikrijuar një skenar që të kujton krizën e raketave kubane të vitit 1962.
Kjo, sipas New York Times, është një nga masat e propozuara nga zyrtarët rusë, në një kohë që negociatat midis Moskës dhe vendeve perëndimore janë në proces, në rast se kërkesat e Vladimir Putin nuk plotësohen.
New York Times thekson se Putini ka dhënë indicie për këtë qasje gjatë vitit të kaluar, duke paralajmëruar se nëse Perëndimi kalon "vijën e kuqe", përgjigja do të ishte e papritur. Në fakt, nëntorin e kaluar, vetë Putini kishte sugjeruar se Rusia mund të vendoste raketa nëndetëse hipersonike në një distancë që mund të godiste Uashingtonin.
Presidenti rus ka përsëritur vazhdimisht se perspektiva e një zgjerimi ushtarak perëndimor në Ukrainë përbën një rrezik të papranueshëm, sepse mund të përdoret për të nisur sulme bërthamore kundër Moskës me vetëm disa minuta paralajmërim. Rusia, tha ai, mund të kishte bërë të njëjtën gjë.



