Kuvendi i Kosovës zhvilloi sot një seancë të veçantë për të shënuar 22-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti iu ka drejtuar deputetëve dhe familjes Jashari me një fjalë rasti.

Kurti ka kujtuar rënien e familjes Jashari dhe sulmin e forcave serbe.
“Sot është datë e shënuar për historinë e vendit tonë, 22 vite më parë më 5 mars forcat serbe kishin rrethuar shtëpinë e Jasharajve dhe po e sulmonin. Asnjë sulm nuk i zbrazte por vetëm sa i forconte, tre breza të një familje u flijuan për të ardhmen e për neve. Në ato tre ditë 59 dëshmorë rënë për lirinë e atdheut”, ka thënë Kurti.
Ai e ka theksuar se Adem Jashari ishte i destinuar të bënte histori.
“I lindur më 28 nëntor ditën e flamurit e i rënë më 7 mars në ditën e mësuesit Adem Jashari thuajse ishte i destinuar të bënte histori”.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot më 5 mars përkujtojnë veprën heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
“Adem Jashari u shndërrua në simbol të rezistencës shqiptare. Sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar por edhe për ta ripërtërirë kujtesën tonë. Secili shqiptar ishte i gatshëm në atë kohë të sakrifikonte gjithçka – edhe jetën e tij”.
“Beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të rejave. U falemi atyre. Ne ndërtojmë kujtimin e tyre veç e veç. Nuk mund t’i përmbledh në numër viktimat e asaj beteje, atij tmerri”.
“Ata nuk janë thjeshtë një numër, secili është histori në vete që prek rrëfimin tonë. Historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës”.

Rifat Jashari, kryefamiljari i familjes të komandantit Legjendar Adem Jashari, morri pjesë si i ftuar i veçantë në seancën e organizuar nga Kuvendi i Kosovës për nder dhe në kujtim të veprës së familjes Jashari. Rifat Jashari, ishte i shoqëruar nga gjeneratat e reja të familjes Jashari.
Kujtojmë se në mars të vitit 1998, janë flijuar 56 anëtarë të familjes Jashari.



