Bankat në Shqipëri janë më prirura të mbështesin me hua bizneset e mëdha. Në studion e MCN Economy, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj Kortoçi, tha se për shkak të marrëdhënies së brishtë që biznesi i vogël ka me tregun, bankat kanë pasiguri kur vjen puna te kredidhënia. Sipas saj, kjo pasiguri është thelluar për shkak të krizave të njëpasnjëshme që kanë rënduar më së shumti mbi biznesin e vogël.
Ne kemi kaluar tre kriza të vogla që e kanë dëmtuar më tepër biznesin e vogël. Duke qenë e brishtë marrëdhënia e bizneseve të vogla me tregun, bankat janë më të ngurtësuara. Kemi 10 kompani me kërkesë për kredi 100 mijë euro, që bëjnë 1 milion. Banka e ka më të lehtë të japë një kredi 1 milion euro sesa 10 të tilla me 100 mijë euro. Mungesa e qëndrueshmërisë dhe likuiditetit i bën bankat më të ngurta kur është fjala për kredidhënien te biznesi i vogël.
Parimisht është e drejtë që një biznes që ka vlerë të madhe për kredi, normalisht duhet të ketë dhe një kosto pagese. Nëse i drejtohemi një tregu nëse e blen në sasi të madhe dhe çmimi që përfiton është i ulët dhe gjykoj se është e drejtë. Në ekonomi ekziston një rregull që do thotë më shumë zgjidhin bankat të merren me 20% të klientëve që përkthehet me 80% të zgjidhjes, sesa e kundërta. Kjo do të thotë që këto banka që e trajtojnë klientin e madh kanë më shumë vlerë të kenë një klient të madh se sa 80 apo 100 klientë dhe më të vegjël. Këtë vlerësojnë bankat aq më tepër kur kanë marrëdhënie të qëndrueshme.
Dhe e dyta lidhet me mënyrën se si bankat operojnë me njëra-tjetrën. Ne e dimë se bankat e nivelit të dytë qarkullojnë paratë e klientit të tyre dhe në këtë mënyrë bankat kanë interes që këtë klient potencial ta kenë të tyrin që të kenë dhe ritme të larta të fitueshmërisë së tyre.
Sa i takon informalitetit, Nunaj tha se shkalla e tij lidhet direkt me performancën e institucioneve në luftën ndaj tij. Ajo theksoi se operacionet sporadike disamujore nuk janë të mjaftueshme për ta formalizuar plotësisht ekonominë.
Individët priren të shmangin tatimet. Këtu shihet sa të afta janë institucionet për ta luftuar informalitetin. Në vitet e para të tranzicionit, informaliteti ka qenë jashtëzakonisht i lartë. Informaliteti do të vijojë të jetë prezent, por do të varet drejtpërdrejt nga sa efektive do të jenë institucionet në luftën ndaj tij. Ligji i amnistisë fiskale këtë kishte për qëllim: të legalizonte këto pasuri apo këto para të padeklaruara.



