Katër ditë pas ekzekutimit të dy vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, në Shënavlash të Durrësit, policia ka mundur të vendosë në pranga dy autorë të dyshuar.
“Mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve Altin Ndoci 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; K. A. 22 vjeç, banues në Durrës”.
Dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer edhe vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt më 2 Mars në zonën e Nishtullës, jo shumë larg vendit të atentatit të dy vëllezërve.
“Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar”.
Motivi i krimit, sipas policisë, është prishja e pazareve për aktivitete të paligjshme.
Gjendet arma e krimit dhe makina - "Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas", tha drejtori i policise.
Dy të arrestuarit edhe autorë të vrasjes në 2 mars- Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja", Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.
Prishja e pazareve- "Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal".
Sekuestrohen armë e municione- Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Persona të tjerë të implikuar -Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera. Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.



