Policia e Elbasanit vijon operacionin e koduar “Summer 2017 Elbasani”, ku janë sekuestruar 4 makina luksoze, pasi dyshohet se janë trafikuar nga BE drejt Shqipërisë, ndërsa janë proceduar 4 persona. Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni janë verifikuar 380 automjete motorrike si dhe shoqëruar në Komisariat 28 persona.
Operacioni është ndërmarrë pak ditë më parë edhe në Tiranë, ndërsa kryeministri Rama ka bërë sot një paralajmërim ndaj grupeve kriminale të trafikut të drogës në vend, ndërsa theksoi se ata duhet të gjejnë ‘vrimë ku të futën’.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të prioriteteve të Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të mjeteve motorrike, armëmbajtjes pa leje, Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë vijuar zbatimin e plan – operacionit “Summer 2017 Elbasani” me qëllim bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara në Republikën e Shqipërisë nga vendet e BE-së.
Gjatë këtij plan–operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 automjete të dyshura të trafikuara dhe të falsifikuar numrin e shasisë. Mjetet e bllokuara janë të markave të ndryshme:
1 – Mini Cooper
2 – BMW
3 – BMW
4 – AUDI
Këto mjete, dyshohet të jenë trafikuar nga vendet e BE-së në Republikën e Shqipërisë. Në vijim të veprimeve janë proçeduar penalisht 4 shtetas. Ndaj tyre, materialet proçeduriale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” , parashikuar nga Neni 141/a dhe 190 të Kodit Penal.
Gjithashtu në kuadër të zbatimit të Plan – Operacionit “Summer 2017 Elbasani” janë arrestuar 2 shtetas për veprën penale ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” . Janë verifikuar 380 Automjete motorrike. Janë shoqëruar 28 shtetas dhe kontrolluar 520 shtetas. Janë vendosur 150 masa Administrative nga Sektori I Qarkullimit Rrugor. Policia e Elbasanit edhe në ditët në vijim do të vijojë zbatimin e Plan – Operacionit “SUMMER 2017 Elbasani” me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.



