Ish-deputeti i PDK-së Hisen Berisha thotë se Kryeministri Albin Kurti po e përdor politikisht krizën e krijuar, ndërsa në 26 korrik skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese ka vendosur për të konstituuar Kuvendin.
Duke folur për “MCN Live” ai deklaroi se po shkon drejt fundit afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe se vendimi është detyrues dhe jo interpretues.
Krizën e Kuvendit e shoh më shumë si strategji të vetë Kurtit. Albin Kurti si personalitet është i njohur që jeton përmes krizave, këtë e tregon edhe ardhja e tij në politikë.
Ky jeton përmes krizave për shkak të dështimit dhe paaftësisë për të qeverisur. Albin Kurti nuk ofron dhe kërkon zgjidhje, po përpiqet të nxjerrë përfitime nga ky kaos.
Problemi është tek tendenca e tij dhe logjika e përçarjes dhe jo për marrëveshje politike paraprake. Marrëveshja për votim të fshehtë shkel rregulloren.
Pas 30 ditësh mendoj se Presidentja me dekret duhet të shpërndajë parlamentin. Këto institucione nuk janë legjitime, e kanë humbur legjitimitetin, qeverisja është informale.



