
Ish-Kryeministri Sali Berisha këtë të martë ka zhvilluar takimin e radhës me demokratët në qytetëtin e Dibrës. Një numër i madh mbështetësish e kanë pritur atë me daulle e flamuj demokratë. Nga foltorja e këtij qyteti, Berisha është shprehur se Kryeministri Edi Rama është përgjegjës për krijimin e krizës energjitike përmes vjedhjeve. Ish-Kryeministri tha se qeveria blen tani energji në bursën ndërkombëtare me një çmim shumë herë më të lartë, ndërkohë që pak muaj më parë e shiste energjinë e prodhuar në vend, me një çmim të ulët. Ish-kryeministri ka prekur dhe çmimin e naftës të cilin e ka krahasuar me çmimin e naftës në Zvicër. Sipas Berishës, çmimi është thuajse i njëjtë ndërkohë që rroga mesatare në Zvicër është 6000 euro ndërsa në Shqipëri 400 euro.
“Kuvendin e thërret koha. Për t’i bërë ballë një regjimi të ngritur nga Rama në një mënyrë tmerrësisht të dëmshëm të shqiptarëve. Ndërtoi në këto 8 vite, narkoshtetin e parë në Europë. Ky regjim, në këto 8 vite jo vetëm që nuk përparoi standartet e demokracisë dhe nivelin e jetesës së shqiptarëve, por çbëri një shumicë të madhe prej tyre dhe shqiptarët, realisht, i zhyti në varfëri dhe mjerim sot. Ai që quhet varfëri e skajshme, është 3.6 herë më e madhe se çishte në vitin 2013. Sot shqiptarët nga kombi me rrogën mesatare më të lartë në rajon, marrin rroga 30% më të ulta se në Kosovë. Kafshata e bukës është 87 herë, po ti mesatarizojmë se në vendet e BE-së. Ndërkohë që konsumi i saj është më i larti në Europë. Sot shqiptarët paguajnë naftën të barabartë me qytetarët e Zvicrës që kanë një rrogë mesatare 6000 euro në muaj. Litra e naftës është 1.41 cent në Zvicër dhe pak a shumë ky është çmimi në Shqipëri. Kjo sepse qeveria në vend që të mendojë për qytetarët, Edi Rama mendon për veten. Në vitin 2013 nafta nuk ishte e lirë, por nëqoftëse nafta ishte dyfishi i çmimit të saj në bursë, sot është 3.2 herë më e lartë se çmimi i saj në bursë. Kjo për shkak të qëndrimit të papërgjegjshëm të Ramës. Vjedhja monstruoze në të gjitha fushat ka bërë që arka e shtetit të jetë bosh. Qeveria detyrohet të dalë në treg për të marrë 700 mln euro borxh ndërkohë që na thotë se rritja ekonomike ishte 18%.
Thotë përralla me mbret. Të ketë rritje me 8% nuk ka kurrë nevojë të marrësh në banka kredinë më të madhe në historinë e vendit. Sot kjo qeveri fund e krye antinjerëzore shpalli krizën energjitike, e krijoi vetë këtë krizë me vjedhje. Ky ka qenë viti, ndër më të mbarët në prodhimin e energjisë, ndoshta për herë të parë, Shqipëria falë burimeve private dhe publike ka prodhuar deri në fund të shtatorit, 7.2 mld k/h. Kanë shitur energjinë në gusht dhe në shtator, me 40 euro-50 euro kilovatin ndërkohë që në bursë shitet 150 euro. Ndërkohë që dalin tani dhe blejnë me taksat tuaja 240 euro. Kjo është katastrofë e krijuar nga qeveria. Është katastrofë e kryer nga vjedhjet e qeveritarëve me në krye kreun e meduzës. Çmimi i rrugëve të ndërtuarta me taksat tuaja kushton 8 deri në 11 herë më shumë se sa çmimi i rrugëve që ndërtohen me lekët e Komisionit Kuropian dhe Bankave Europiane”, tha Berisha.
Ndërkohë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Peshkopia se opozita e Lulzim Bashës i ka bërë fresk qeverisë gjatë 2 mandateve të Edi Ramës. Ai tha se demokratët kanë përgjegjësi për këtë dhe për këtë arsye po marrin përsipër që të ringrihen dhe për t’i qëndruar “dhëmbë për dhëmbë këtij regjimi”.
“Sot Edi Rama ka bllokuar integrimin. Sot Edi Rama ka vrarë shpresën e shqiptarëve. Ku është opozita? Çfarë bëri opozita. Më falni për shprehjen, por opozita i bëri fresk qeverisë sepse nuk qe e aftë në mënyrë absolute përveç dekriminalizimit t’i imponojë asnjë nismë tjetër. Nuk qe e aftë ta bllokojë në asnjë vendim tjetër. A kemi ne përgjegjësi për këtë? Në mënyrë të padiskutueshme. Ndaj edhe ne duke njohur përgjegjësinë tonë marrim përsipër të ngrihemi fuqishëm për të qëndruar si opozitë e pamposhtur, për të qëndruar dhëmbë për dhëmbë ndaj këtij regjimi që po spastron Shqipërinë nga shqiptarët. Edhe njëherë i them Edi Ramës atë që i thashë në Kukës. Ato daulle nuk janë dasme, por beteje. Beteje dhe vetëm beteje. Do të përballësh me demokratët për të gjitha këto që ke bërë”, tha Berisha.



