Në maj u mbyll një numër rekord farmacish online, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar. Më shumë se 100 mijë farmaci online, që ofronin medikamente të paligjshme u mbyllën si rezultat i operacionit Pangea të Interpolit.
Në Britaninë e Madhe u konfiskuan medikamente me vlerë më të madhe se 13 m dollarë. Nga 18 deri me 25 maj u kryen 277 arrestime në 92 shtete të ndryshme dhe u konfiskuan medikamente me vlerë prej 20 m dollarësh.
Më shumë se gjysma e pajisjeve mjekësore të konfiskuara ishin teste të shpejta false ose to paautorizuara për Covid-19. Britania e Madhe hoqi më shumë se 3,100 reklama online, të cilat reklamonin shitjen e paligjshme dhe furnizimin me medikamente të palicensuara.
Sekretari i përgjithshëm i Interpolit, Jurgen Stock tha se shitja e paligjshme e medikamenteve rrezikon jetën e mijëra viktimave. "Shitja online e medikamenteve të paligjshme vazhdon të jetë një rrezik për sigurinë e publikut, prandaj operacione si Pangea vazhdojnë të jenë thelbësore për luftimin ndërkombëtar të këtij problemi," tha ai. "Duke qenë se pandemia i detyroi njerëzit të kthenin një pjesë të madhe të jetës së tyre online, kriminelët vunë shpejt në shenjestër konsumatorët e rinj."
Industria ndërkombëtare farmaceutike ka vlerë më shumë se 1 tn dollarë. Prodhuesit më të mëdhenj farmaceutik janë Kina dhe India, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejtë me depot e paketimit në Evropë, Amerikën dhe Azinë Jugore dhe shpërndarësit, që i dërgojnë ilaçet në mbarë botën./BBC/



