Themelimi i një fondi mbështetës kushtuar bashkëprodhimeve midis Kalabrisë dhe Shqipërisë ngjan se është rezultati konkret i përftuar nga eventi i organizuar nga Calabria Film Commission gjatë muajit nëntor në Cozenca, me titull: “Strategjitë e zhvillimit për bashkëpunim kinematografik midis Italisë dhe Shqipërisë” dhe nëntitull: “Shqipëria në Evropë përmes kulturës dhe kinemasë: Kalabria si portë e privilegjuar hyrëse”.
Fondi, i cili mund të quhet “Al.Ca”, i referohet modelit të projektit tashmë të testuar “Lu.Ca”, ose marrëveshjes së bashkëpunimit midis Kalabrisë dhe Lucania-s, për të promovuar zinxhirin e kinemasë në dy territoret, marrëveshje e nënshkruar midis Komisioneve të Filmit të të dy rajoneve në vitin 2016 dhe prej të cilës u mbështetën filma, si: “Arbëria” nga Francesca Olivieri dhe “La Ciambra” nga Jonas Carpignano.
Në takimin, i cili u mbajt në 7 Nëntor në selinë e Confindustria në Cosenza, si pjesë e MyART Film Festival 2019, përveç presidentit të Calabria Film Commision, Giuseppe Citrigno dhe Luca Ardenti, drejtues i Calabria Film Commission dhe Giovanni Guagliardi të Anec, merrnin pjesë edhe ish ambasadori i Italisë në Shqipëri, Mario Bova dhe një delegacion regjisorësh dhe producentësh shqiptarë, mes të cilëve Ilir Butka (president i Albania Film Commission), Andamion Murataj (Drejtor i Balkan Film Market); skenaristë, regjisorë dhe producentë shqiptarë.
Të pranishëm në tryezë ishin edhe Anna Ramskogler-Witt- drejtore e Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Berlin dhe Maria Loredana Ambrosio (menaxhere marketingu në Confartigianato/ Federimpresa), shumë operatorë kalabrezë dhe të rajonit të Lucania-s në sektorin e filmit, dhe shoqatat Rete Cinema Calabria dhe Hidalgo.
Sipas presidentit të "Albania Film Commission", Ilir Butka “synimi i përbashkët është ndërtimi i një entiteti të aftë për të shfrytëzuar sa më shumë mundësi të financimit evropian përmes fondeve të Eurimages, Europa Creative, Programi i Medias dhe Interreg”.
“Jam optimist se projekte të tjera të këtij lloji do të pasojnë dhe për këtë duhet të punojmë shumë për të shfrytëzuar sa më mirë aftësitë tona dhe të fillojmë projekte që gjithmonë do të shërbejnë për të ndryshuar panoramën e realitetit edukativ dhe produktiv për të rinjtë profesionistë të sektorit të kinematografisë, që veprojnë në Kalabri dhe Shqipëri, duke u dhënë atyre mbështetje të vërtetë dhe të fortë që do t'i lejojë të jenë konkurrues ndërkombëtarisht”, shprehet Butka.
Por cila është vlera e një bashkëpunimi të tillë dhe cila është domethënia e krijimit të një marrëveshjeje midis Kalabrisë dhe Shqipërisë?!
Mario Bova, ish-ambasador i Italisë në Tiranë, President i shoqatës kulturore “Oçhio Blu”: “Kjo nismë filloi gjatë një aktiviteti në Kozencë, ku morën pjesë drejtues të Calabria Film Commission dhe njerëz të kinemasë kalabreze dhe asaj shqiptare. Aktiviteti u shoqërua edhe me shfaqje filmash në festival, që pati sukses të madh. Isha prezent dhe mund të them se nuk e prisja një sukses kaq të fortë me interes mes palëve për të bashkëpunuar. Lind pyetja, pse ky interes kaq i madh?
Kalabria është një territor që është i lidhur shumë më kulturën dhe historinë shqiptare. Besoj se qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë historinë e arbëreshëve në këtë rajon. Është një komunitet me kulturë të thellë e të pasur, që ka rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Kalabrezët sot dëgjojnë shumë për këtë kulturë dhe kanë interes të madh për Shqipërinë dhe kulturën shqiptare. Në vitet e kaluar në Kalabri është themeluar Calabria Film Commission, një organizëm që ka si qëllim përkrahjen e iniciativave të promocionit të kinemasë në Kalabri. Një organizëm i rëndësishëm pak a shumë i fuqishëm edhe financiarisht, që ka bërë gjëra shumë të mira dhe që në njëfarë pike ka filluar të shohë dhe të kërkojë mundësinë e bashkëpunimit edhe me Shqipërinë dhe ka gjetur përgjigje pozitive në kontaktet me kinematografinë shqiptare. Për fat të mirë, kinematografia shqiptare po zhvillohet me një ritëm vërtet impresionues. Kinemaja shqiptare është zhvilluar shumë dhe ka prodhuar filma cilësorë që shumë të njohur në Evropë eë që kanë fituar çmime ndërkombëtarë dhe tani është gati të bashkëpunojë edhe me vende të tjerë europianë. Ka një interes të madh të kinemasë italiane, për të bashkëpunuar me atë shqiptare dhe që këtu edhe të kinemasë kalabreze për të bashkëpunuar me atë shqiptare. Pjesët kanë gjetur këtë interes dhe kanë vendosur të përfundojnë një marrëveshje për bashkëproduksione, për të ndihmuar në pjesën logjistike apo dhe për formacione, në mënyrë që të ndihmojnë kineastët e rinj shqiptarë dhe kalabrezë. Kjo është një dritare shumë e hapur për kinemanë shqiptare në kinemanë kalabreze me perspektiva shumë të rëndësishme.”
Andamion Murataj, drejtor i “Balkan Film Market”: “Ne kemi pasur fatin si Balkan Film Market, që të lidhemi me disa nga rajonet më të suksesshme deri tani në Itali, duke përfshirë“Apulia Film Commission”, që ndoshta ështëi pari që pati suksese madhore, apo“Roma Lazzio Film Commission”, që ndoshat është komisioni mëi pasur iItalisë.Tashmë kemi marrëdhënie me “Calabria Film Commission” dhe ajo që e lidh rajonin tonë me “Calabria Film Commission”është sigurisht një traditë e caktuar kulturore, një traditë e caktuar linguistike. Pra, një film shqiptar i prodhuar nëKalabri do të ishte gjë ideale, sepse në rradhë të parë do të ketë audiencë, por githashtu edhe një fim italian iproducentëve nga Kalabria prodhuar në rajonin tonë do të ishte brilante, se gjithashtu dhe ata do të kishin interes nga pikëpamja e distribucionit të televizioneve lokalë dhe numrit të audiencave, që do shikonin filmat në koinema. Siç e patë, vitin e kaluar në disa festivale shqiptare qarkulloi filmi “Arbëria” i bërë nga një autore arbëreshe, film që po shërben si urë lidhjeje mes dy rajoneve tona. Ne si “Balkan Film Market” jemi facilitator, jo fond, por sigurisht kemi krijuar mundësiqë“Calabria Film Commission” të njihet me klimën e përgjithshme të filmit në Ballkan dhe në Shqipëri në veçanti. Ishte njëdelegacion i shkëlqyer i kineastëve shqiptarë, disa regjisorë të rinj, producentëpor dhe organizatorë festivalesh dhe workshopesh nga Shqipëria në Kalabri dhe jam i bindur, që do të pasohet nga hapa të tjerë. Ishte një interes i madh i “Calbaria Film Commission” për bashkëpunim me Shqipërinë për arsyet që thamë. Një pjesë e producentëve kalabrezë janë arbëreshe apo me gjak arbëresh, vijnë nga familje arbëreshe, por edhe temat që ata trajtojnë janë tema të ditës, që sigurisht e shqetësojnë dhe komunitetin arbëresh, kështu që do të ishte një partner natyral.”
Bashkëproduksione në gjithë Ballkanin
Presidenti i Calabria Film Commission, Giuseppe Citrigno shprehet se “ka shumë besim se projekti i bashkëpunimit me Shqipërinë do të sjellë të njëjtat fryte që solli projekti Lu.Ca, domethënë mundësinë e zgjerimit të mundësive prodhuese të të dy partnerëve”.
“Por përparësia për pjesën kalabreze,- sipas tij, - është edhe më e madhe, nëse konsiderojmë se ky bashkëpunim hap mundësi prodhimi dhe shpërndarjeje në të gjithë zonën e Ballkanit”, si dhe “duke marrë parasysh faktin se në vitet e ardhshme, Shqipëria do të hyjë në Evropë dhe kuota të konsiderueshme do t’i ndahen asaj në fondet evropiane, për të mbështetur kinemanë”.
Andamion Murataj, drejtor i “Balkan Film Market”: “Ata sigurisht kanë disa marrëdhënie të caktuara me rajone, si: Lucania, Basilicata dhe rajone të tjera dhe sigurisht në shembullin e marrëdhënieve partnere me rajoneve të caktuara po përpiqemi të vizualizojmë marrëdhënie bashkëpunimi mes rajonit tëBallkanit dhe CalabriaFilm Commission. Ajoçfarë konsiston është nëse autorët ballkanikë janë të interesuar të zhvillojnë dhe gjejnë partner produksioni në Kalabri. Sigurisht këta do të krijojnë një fond të destinuar siç kanë edhe me rajone të tjera. Shpresojmë që komisionet e filmit që do të krijohen në rajon, por edhe qendrat e filmit do ta gjejnë si marrëdhëne reciprociteti organizimim e një marrëdhënieje ndoshta bilaterale më vonë, por dhe në kuptim rajonal, do të ishte me interes. Ne po përpiqemi ta facilitojmë si BFM. Sigurisisht kishte edhe përfaqësues të një agjencie qëështë Albania Film Commission, që ka ekzistuar prej kohësh me funksione minimale, që shpresojmë tashmë të fuqizohet, në kuptimin, qëështë thjesht një trampolinë e produkteve, prodhimeve filmime italiane të interesuar të xhirojnë në rajonin tonë. Ne bëmë vetëm hapin e parë, ku është pasqyruar pasuria e mundëvie të bashkëpunimit me Shqipërinë.”
Gianluca Gargano, President i Shoqatës “Hidalgo”: “Kemi shumë vite që e organizojmë këtë festival dhe mendoj se MyArt është festival shumë i rëndësishëm në Kalabri, por edhe në Itali, sepse bën bashkë njerëz, regjisorë, skenaristë dhe kompani produksioni nga gjithë Europa dhe Mesdheu.
Është shumë e rëndësishme t’u jepet mundësi të gjithë artistëve, që prodhojnë filma me shumë sakrificë. Jam vërtet i lumtur për takimin sot sepse për herë të parë në Kalabri të gjithë kompanitë e produksionit dhe shoqatat, regjisorët dhe skenaristët bënë takim me kompani të tjera prodhimi dhe artistë europianë, sepse e konsideroj Shqipërinë si vend europian, pasi kjo nuk është diçka që ka të bëjë me origjinën kulturore, por është zgjedhje politike.”
Sipas Gianluca Gargano-s është e njëjta gjë të jesh shqiptar apo kalabrez.
Gianluca Gargano, President i Shoqatës “Hidalgo”: “Është e njëjta gjë, është kultura jonë, që nga Greqia dhe mbase otomanët. Unë vetë kam origjinë shqiptare, sepse gjyshja ime dhe nëna e saj ishin nga Falconara Albanese, një fshat arbëresh këtu, kështu që gjaku im është shqiptar.
Sot është ditë për t’u shënuar, sepse jemi dakord të bëjmë bashkëproduksione midis Shqipërisë dhe Kalabrisë. Mund të prodhojmë mbase diçka që mund të shkojë në festivale ndërkombëtarë dhe të bëjë bashkë dy kultura të ndryshme, por të ngjashme në shumë forma dhe vërtet shpresoj që të gjithë njerëzit që sot morën pjesë në këtë takim do të bëjnë më të mirën për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe që Calabria Film Commission do të na ndihmojë për zhvillimin e projekteve dhe prodhimin e tyre.”
Francesco Mollo, Organizator i “MyArt Film Festival”: “Jam shumë i kënaqur që kjo tryezë midis Calabria Film Commission dhe kineastëve të Kalabrisë dhe Shqipërisë mbahet gjatë MyArt Film Festival. Ky festival organizohet tashmë prej tre vitesh nga një shoqatë kulturore multietnike, që okupohet për emigracionin dhe të drejtat e emigrantëve. Ne shfaqim filma që nuk mund të shihen përndryshe në vende të tjera, bëjmë edhe debate dhe diskutime me regjisorët, që tregojnë si i kanë realizuar këta filma. Cozenca është një qytet në jug të Italisë, që nuk ka prodhime të mëdha kinematografike ndryshe nga qytetet e mëdha, si: Roma, Milano apo Berlin. Kështu që të organizosh një festival këtu merr një vlerë tjetër. Kinemaja dhe filmi janë instrumente shumë të fuqishëm për t’u marrë me tema që shpesh janë të vështira, siç është emigracioni dhe të drejtat njerëzore. Tashmë festivali funksionon prej tre vitesh dhe funksionon shumë mirë, sepse njerëzit përmes filmave hyjnë në kontakt me këto tema. Është një mënyrë për të vënë në kontakt persona që njohin mirë temën, rajonin dhe çështjet e emigracionit”.
Një tjetër bashkëpunim është arritur gjatë MyArt Film Festival edhe mes Kalabrisë, Shqipërisë dhe Gjermanisë, e pikërisht me “Human Rights Film Festival” në Berlin, e që ka të bëjë konkretisht me aplikimet për “Creative Europe” dhe zhvillimin e audiencës.
Anna-Ramskogler-Witt, Drejtore e “Human Rights Film Festival”, Berlin: “Jam shumë e kënaqur të jem në Cosenza si pjesë e My Art Film Festival. Të drejtat e njeriut dhe emigracioni janë temë shumë të rëndësishme në festivalin e Të drejtave të Njeriut në Gjermani dhe është kënaqësi të shoh se është temë e rëndësishme edhe këtu në Itali. Bashkëpunimi mes dy këtyre festivaleve dhe shkëmbimi i filmave është shumë frytdhënës, sepse mësojmë shumë nga njëri-tjetri, veçanërisht në filmat që përzgjedhim dhe filmat që ndajmë. Sot isha e ftuar në një tryezë të rrumbullakët bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë. Për mua si europiane ishte shumë e këndshme dhe me interes, sepse mendoj se shkëmbimet dhe bashkëpunimet europiane janë shumë të rëndësishme dhe një çështje thelbësore për t’u ulur dhe për të punuar së bashku, për të parë se si mund të përmirësojmë zhvillimin e audiencës, por gjithashtu dhe prodhimin dhe sigurisht si mund të zgjerojmë e zhvillojmë më tej filmin europian. Bashkëpunimi kinematografik midis Kalabrisë dhe Shqipërisë është i rëndësishëm edhe në një rrafsh më të gjerë europian.”
Një mundësi tjetër për të çuar më tutje këtë bashkëpunim është takimi i nënshkruesve të memorandumit të mirëkuptimit në Balkan Film Market 2020, i cili do të zhvillohet në Tiranë në tetor të vitit të ardhshëm dhe i cili mund të ndiqet nga Calabria Film Commission dhe një përfaqësues zyrtar i prodhuesve dhe operatorëve në sektorin audiovizual kalabrez.
Andamion Murataj, drejtor i “Balkan Film Market”: “Jam i sigurt që një delegacion i “Calabria Film Commission” siç premtuan do të marrin pjesë në“Balkan Film Market” vitin që vjen. Dhe së bashku do të zhvillohen projekte, siç kemi “Pitch Balkan” do të kemi ndoshta “Pitch Calabria” në BFM, ose “PitchBalkan” në Kalabri.
Personalisht shoh shumë potencial, aq më tepër nëse flasim për dy rajone, të dy në zhvillim. Ballkani po i afrohet gjithmonë e më shumë Evropës dhe po njeh rritje të prodhimit kinematografik, por dhe Kalabria është një rajon me shumë potencial për të ardhmen. Kalabria si rajon ka mirëpritur prej shekujsh ballkaniasit dhe tashmë po bën të njëjtën gjë me minoritetet, që vijnë nga vende të ndryshme ku zhvillohen luftëra, nga vendet e Afrikës etj. Pra është një vend vital me tema interesante, bashkëkohore, që do të kishin interes për gjithë Evropën, për çfarë ndodh atje, por po ashtu ka shumë për të parë dhe mësuar edhe nga evetnte të tjera që zhvillohen në Kalabri dhe besoj janë kushtet idale për të bashkëoiunuar dhe prodhuar së bashku.”
Mario Bova, ish-ambasador i Italisë në Tiranë, President i shoqatës kulturore “Occhio Blu”: “Është një ide që duhet të stimulohet dhe mbështetet së shumti në lidhje me këto bashkëprodhime kinematografike si dhe për zhvillimin e formacioneve filmike dhe aktiviteteve të rëndësishme së bashku, që të projektohen edhe tek vendet e tjerë evropianë.
Duhet të themelohet një fond i përbashkët ku të tërhiqet për të promovuar skenarë dhe bashkëproduksione. Kur kjo të realizohet, sigurisht, kinematografia e vendeve ballkanike falë shtysës së kinemasë shqiptare dhe asaj italiane do të ketë padyshim rezultate të mëdha.
Bashkëpunimi kinematografik është shumë i rëndësishëm sepse bën aktiv një dialog mes vendeve, mes popujve. Vendet shpjegojnë falë kinemasë kulturën e tyre dhe kështu njihen më mirë. Në këtë mënyrë aktivizohet një mekanizëm dialogu që tejkalon disa vështirësi që kanë qenë edhe në të kaluarën. Kështu, rruga e dialogut, e progresit, e paqes kalon edhe përmes kinemasë”.
Vlera e komisioneve të filmit
Por vlera e bashkëpunimeve të tilla në të njëjtën kohë është edhe një vlerë e shtuar për ekonomitë e vendeve të caktuara, ku operojnë komisionet filmike.
Ndërkohë që kinemaja po bëhet përditë e më shumë një urë dialogu dhe bashkëpunimi midis vendeve, marrëveshja midis Calabria Film Commission, Albania Film Commission dhe Balkan Film Market krijon mundësi të mira krijimi dhe bashkëprodhimi jo thjesht midis Italisë dhe Shqipërisë, por në krejt Ballkanin. Me përvojën e nevojshme, tashmë vitin e ardhshëm, mund të fillojë një epokë e re e zhvillimit dhe bashkëprodhimit midis regjisorëve kalabrezë dhe regjisorëve shqiptarë, ndërkohë që gjatë BFM do të organizohen seminare mbi zhvillimin e skenarëve, zhvillimin e projektit dhe prezantime efektive, ndërsa për herë të parë mund të zhvillohet një ngjarje e madhe si “Pitch Calabria” gjatë Balkan Film Market dhe “Pitch Balkan” në Kalabri, në të cilin do të paraqiten potencialet e pashfrytëzuar filmike të të dy rajoneve për tre vitet e ardhshëm. /Përgatiti: Blerina Goce/



