Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha janë përplasur duke shkëmbyer sot replika në seancën e Kuvendit. Basha foli për aleancë të kullave dhe të non gratave, ndërkohë që reagoi Gazment Bardhi, duke thënë se Basha është i vetmi që ka marrë dy kate në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Po ashtu Bardhi e konsideroi Bashën kryetar të vetshpallur partie, që ka vetëm tre veta pas tij. Nga ana tjetër Basha kërkoi që të votohet Vetingu politik.
PJESË NGA REPLIKAT
Basha: Zonja kryetare e Kuvendit bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëpasshme të PD injorohen dhe nëpërkëmbën nga ana juaj. Përkundër zotimit që bëtë publikisht, që do të bënit publik vendimin tuaj, fakti është që s'keni bërë publik asnjë vendim. Fakti është që po merrni zvarrë përfaqësimin PD-së duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës tuaj, dhe jo sipas Kushtetutës. Fshiheni pas një akti administrativ siç është rregullorja e Kuvendit, që në vetvete s'ju jep asnjë të drejtë të vononi me një muaj përfaqësimin e PD. Flini për vendime të grupit parlamentar të PD, nuk ka vendime të PD-së, janë veprime të njëanshme, dihet pse i bëni sepse kështu e doni opozitën. Doni ta bëni gjithë Shqipërinë Kukës, por kjo s'është në dorën tuaj, ndaj u bëj thirrje jepni fund kësaj maskarade, është detyra juaj të shpreheni. Shprehuni pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike. Ose nëse keni vendosur në kuliasat tuaja të errëta e të aleancës së kullave dhe non grata ki guxim dhe dil e thuaj shqiptarëve që je pjesë e asaj aleance.
Bardhi: Të jemi sinqertë u emocionova shumë nga kjo aleanca e kullave. Parafolësi është i vetmi që në muajt e fundit ka marrë nja dy kate në një kullë në një nga zonat e shtrenjta të Tiranës. Dhe kur vjen këtu të akuzosh kolegët për aleanca kullash, numëro njëherë katet në kullat më të shtrenjta. Sa i takon grupit parlamentar ja ku janë deputete e grupit të PD-së, ti je i vetmi në këtë sallë që je vetëshpallur kryetar i partisë dhe nuk guxon të mbledhësh grupin parlamentar të partisë që mendon se përfaqëson, sepse je ti dhe tre të tjerë që të shkojnë nga mbrapa. Nuk je as opozitë, as përfaqësues i PD-së, je thjeshtë i rikthyer pas 1 vit e gjysmë mungese, gjoja për të bërë opozitë, po opozitën e ke thjeshtë me kolegët e tu, se me ato këtu mbrapa s’ta mban.



