
Zgjedhjet e 30 qershorit kanë prodhuuar përplasjen e parë mes një kryebashkiaku të ri dhe një tjetri në detyrë. Java ka nisur me tension në Bashkinë e Devollit, ku kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ka shkuar në zyrë që në orën 06:30 të mëngjesit. Eduard Duro ka nisur punën si kryetar i ri, ndërsa në ambientet e brendshme dhe të jashtme të bashkisë janë vendosur forca të shumta policore.
Ndërkohë, me mbërritjen e kryetarit që mban ende detyrën, Bledion Nallbati, administratës dhe mbështetësve të tij, kanë nisur edhe përplasjet në distancë.
“Bashkia u dhunua në prezencë të deputetëve dhe prefektit të Korçës. Brenda bashkisë ka forca speciale. Unë jam kryetari i ligjshëm i bashkisë,i zgjedhur nga 59 për qind e qytetarëve. Do jem këtu çdo ditë,24 orë në ditë. Do të vazhdoj t’u shërbej qytetarëve. Bashkia është pushtuar. Nuk di ç’ka ndodhur me dokumentacionin që ndodhet në zyra. Administrata nuk mund të hyjë në bashki dhe të nisë punën nën terrorin e policisë”, ka thënë Nallbati.
Ndërsa kreu i PD-së, në një postim në Facebook, e quajti rastin një plaçkitje me dhunë të qeverisjes lokale.
“Pushteti i paligjshëm i 6% po uzurpon me dhunë qeverisjen lokale, kundër vullnetit të popullit. Ky regjim kriminal dhe plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij. Sot hajdutët në pushtet ndjehen të mbrojtur se kanë polici speciale, gaz lotsjellës dhe mercenarë, por nesër do të kenë fatin që meritojnë hajdutët dhe banditët!”, shkruan Basha.



