
Pano Soko, ekspert ekonomie tha përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se emigracioni është faktori kryesor i tatëpjetës demografike në vendin tonë.
Duke vijuar, Soko renditi edhe një sërë faktorësh të tjerë që ndikojnë në uljen e lindshmërisë, por theksoi se pjesën më të madhe të barrës e mban largimi i shqiptarëve nga vendi.
Janë disa faktorë, emigracioni është kryesori. Ne na mungojnë fëmijët se na mungojnë prindërit. Prindërit e tyre ikin jashtë, kur ikin, ikin me ata që kanë lindur dhe ata që do të lindin. Ka të bëjë dhe stili i jetës, mënyra si ka progresuar koncepti mbi familjen, angazhimet shoqërore. Kanë marrë një kah që duket se përbën regres për shoqërinë nga pikëpamja sociologjike. I dedikohet moshës së madhe kur individët marrin vendimin për të nisur familje, i dedikohet individëve në karrierë që duket se kanë marrë pozicion më prioritar. I dedikohet paaftësisë mjekësore, apo pamundësisë mjekësore që është shtuar ku shumë çifte luftojnë për të pasur një fëmijë dhe ndoshta kjo ka ardhur për shkak të ndotjes, ushqimit, stresit të madh që njerëzit kalojnë. Këto i kanë dhënë një dorë të mirë pamundësisë sociale për të rikuperuar veten e saj.
Mbi të gjitha unë dua të ndalem tek emigracioni.
Gjatë 2024 në Europë lindën 54 mijë fëmijë me të paktën 1 prind shqiptar. Në 2021 kanë lindur 28 mijë fëmijë në Shqipëri. Janë 82 mijë fëmijë. Sa numri i lindjeve në 1990. Ne shohim që pavarësisht faktorëve të tjerë që kanë ndikuar, por ne kemi mbetur aty ku kemi qenë. Kemi lindur 82 mijë fëmijë në 1990, jemi në të njëjtat ritme.
Emigracioni është ai që na ka zaptuar, na ka hequr mundësinë e llokmës më të madhe të lindjes së fëmijëve. Nëse në 1990 do të kishim 82 mijë, tani duhet të kishim 120 mijë fëmijë. Pjesa nga 82 mijëshi, tek 22 mijëshi që është shifra më e ulët e regjistruar i dedikohet emigracionit. Po e kthejmë vëmendjen tek emigracioni se na mungon forca punëtore.



