Ergys Agasi, biznesmeni i pushtetit/ Dosja e AKSHI-t, miliona euro abuzime dhe lidhjet kriminale

Ergys Agasi, biznesmeni i pushtetit/ Dosja e AKSHI-t, miliona euro abuzime dhe lidhjet kriminale

Ky është Ergys Agasi një dekadë më parë, këtu ai fliste si drejtuesi i Inspektoriatit Kombëtar të Mjedisit dhe Pyjeve për shpërthimet e gazit në Patos Marinzë si pasojë e shpimeve pa kriter që bënte Bankers Petrolium. 

 

Ndërsa këtu është disa muaj më vonë po në cilësinë e drejtuesit të këtij institucioni ku flet për mbetjet urbane të cilat bashkitë nuk i hedhin në landfille.

 

Ai u largua nga kjo detyrë dhe angazhimi i tij në administratën publike nuk vazhdoi më, duke iu përkushtuar biznesit dhe në harkun kohet te 4 viteve ai u kthye në një ndër biznesmenët më të pushtetshëm në Shqipëri.

 

Se sa fuqi kishte Agasi brenda pushtetit politik të vendit na e tregon dëshmia e biznesmenit Orest Sota dhënë në Prokurorinë e Posaçme gjatë hetimeve për dosjen AKSHI. Sota, së bashku me kompanitë e tij dhe të familjarëve janë ndër ndërtuesit kryesorë në Shqipëri dhe kryesisht në Tiranë. Sipas tij fuqinë e Agasit e njihte i gjithë tregu pasi kishte njohje edhe me arkitektë të huaj, kriter i cili është bërë detyrues për ata që ftojnë projekte të rëndësishme ndërtimi në kryeqytet.

 

Me shtetasin Ergys Agasi jam njohur për herë të parë diku nga fundi i vitit 2021 fillim i vitit 2022. E kam njohur për arsye se ai filloi të merrte shumë fuqi në treg si biznesmen i fuqishëm me pushtetin. Këtë e kam mësuar nga i gjithë tregu, kishte njohje me arkitekt të ndryshëm të huaj pasi shqiptarët nuk i pranojnë dhe nuk i vlerësojnë më. Shtetasin Ergys Agasi e kam kontaktuar vetë me telefon. 

Nuk e mbaj mend nga e kam gjetur numrin e tij. Kisha parë se ai qëndronte tek lokal “Chocolattini” në ish-bllok pasi aty hante çdo ditë mëngjesin dhe aty jemi përshëndetur disa herë pasi dhe unë vetë shkoja në këtë lokal për të pirë kafen e mëngjesit. Ose aty ose në një mënyrë tjetër i kam gjetur numrin e telefonit dhe e kam kontaktuar vetë. I kam kërkuar të takohemi dhe jemi takuar ose te ky lokal ose te zyra e biznesit të tij në ish-bllok afër piceri “Era”. Pas kësaj kemi krijuar shoqëri duke patur parasysh se kishim dhe një shok të përbashkët shtetasin Alqi Bllako të cilin unë e njoh prej kohësh”- Dosja e SPAK

 

Ky është një pasazh në vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila më kërkesë të SPAK, ka sekuestruar pasuri në vlerën e 40 milionë euro për grupin e strukturuar kriminal të AKSHI-t.

 

 Pjesë e tij sipas SPAK ishin një grup biznesmenësh dhe zinxhiri drejtues i AKSHI-t, të cilët përcaktonin fituesit e tenderave që zhvilloheshin në këtë institucion.

 

Ermal Beqiri, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Gëzim Hoxha dhe Andis Papa, në bashkëpunim me njëri tjetrin në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që drejtohet nga shtetasi Ergys Agasi, janë përfshirë një skemë të mirëorganizuar, me qëllim kontrollimin e procedurave të prokurimit të cilat tenderohen nga Autoritetit Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit me qëllim krijimin e përftimeve të padrejta materiale.”- Dosja e SPAK

 

Metamorfozë shumë e madhe e Ergys Agasit në një dekadë, nga një zyrtarë i nivelit të dytë më një rrogë modeste në Shqipëri, në biznesmenin e pushtetit dhe më pas drejtuesin e një grupi kriminal që kishte në dorë të gjithë buxhetin e AKSHI-t. 

 

Tre janë kryesorët në funksionimin e këtij grupi të strukturuar kriminal Ermal Beqiraj, Ergys Agasi dhe drejtuesja e AKSHIT Mirlinda Karcanaj. Ndërsa biznesmenët e tjerë Gazim Hoxha, Andis Papa, Rogers Rryta kanë bashkëpunuar duke marrë tendera, ndërsa një pjesë të parave ia kalonin kompanisë së Ergys Agasit, e cila nuk kryente asnjë shërbim, por vetëm faturonte fiktivisht.

 

Në Shqipëri, hetimet për korrupsion shpesh nisin me dyshime, por shumë rrallë arrijnë të zbulojnë një panoramë kaq të gjerë dhe të ndërlikuar sa ajo që po del në dritë nga dosja e AKSHI-t. Një çështje që nuk kufizohet vetëm në shkelje proceduriale apo abuzime të izoluara, por për një mekanizëm të mirëorganizuar, ku sipas hetimeve të SPAK, përfitimet ekonomike dhe ndikimi institucional kanë ecur paralelisht.

 

Pasi në Tiranë kishte fituar statusin e biznesmenit të fuqishëm më pushtetin, Ergys Agasi shtrin tentakulat e tij drejt Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, një nga institucionet më të rëndësishme në vend e para për shkak të politikave të digjitalizimit të shërbimeve shtetërore dhe e dyta për shkak të buxhetit që ka AKSHI për të tenderuar projekte të ndryshme.

 

Në krye të skemës qëndron Agasi dhe ndihmësi i tij kryesorë ishte Ermal Beqiraj dhe Mirlinda Karçanaj. Për të përfituar paratë Agasi kishte hapur kompaninë e tij EA Solution. 

 

Ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare nga operatorët ekonomike “Soft & Solution” sh.p.k., “Fastech” sh.p.k. dhe “First” sh.p.k. Këto përfitime kanë ardhur si rrjedhojë e paracaktimit të operatorëve ekonomik fitues në procedura prokurimi të zhvilluara nga AKSHI, të cilët, si rezultat kanë bërë pagesa të konsiderueshme në forměn e “shërbimeve”, me përfitues shoqërinë “EA Soution” sh.p.k, në pronësi të të hetuarit Ergys Agasi .P ër sa më sipër, në përputhje dhe me vetë shpjegimet e dhëna nga personat nën hetim Andis Papa dhe Gëzim Hoxha këto pagesa i kanë bërë në favor të shoqërisë EA Solution, pasi një fakt i tillë i është propozuar nga shtetasi Ermal Beqiri. Është dokumentuar fakti se shoqëria “EA Solution”,nuk ka kryer asnjë shërbim konkret, pasi siç dhe rezulton nga pyetja e punonjësve të kësaj shoqërie punonjësit e shoqěrisë EA Solution, menaxhoheshin, kontrolloheshin dhe drejtoheshin nga departamenti burimeve njerëzore i shoqërisë Soft & Solution dhe ishin rekrutuar pikërisht nga kjo e fundit, çka arsyeshëm tregon dhe fiktivitetin e këtyre transaksioneve.” – Dosja e SPAK

 

Një detaj interesat në vendimin e gjykatës është momenti i zbulimit të koleksionit të verërave në dhe gjithçka nis nga kontrolli që është bërë në një banese në pronësi të tij në zonën e vilave qeveritare në Durrës. Aty janë gjetur disa arka me shishe vere dhe fatura të kompanisë Fast & Fresh në pronësi të Andis Papës.

 

Nëpërmjet këqyrjes së sistemit “Asycuda World”, është dokumentuar fakti se ky subjekt ka importuar këto produkt për periudhën Tetor 2024 - Nëntor 2025 në vlerën totale 1 milion e 130 mijë euro dhe për periudhën Nëntor 2024 - Dhjetor 2025 ky subjekt ka faturuar blerje ndaj “Fastech” shpk dhe “Soft & Solution” shpk shumën prej 94,5 milion lekë”- Dosja e SPAK

 

E njëjta gjë është gjetur nga SPAK edhe në vilën e Ergys Agasit në Euquos Resort. Andis Papa është pyetur për këto dy episode dhe ka sqaruar që importi i verës I është kërkuar nga Arjola Koromani, bashkëpunëtore e ngushtë e Ermal Beqirit. 

 

Dua të sqaroj se rreth vitit 2023 më është kërkuar nga shtetasja Arjola Koromani, si përfaqësuese e shoqërisë Soft & Solution, që të importonim disa vera meqënëse kompania Fast & Fresh mund ta kryente si procedurë. Porositë i ka bërë gjithnjë në mënyrë të drejpërdrejtë shtetasja Arjola Koromani, madje dhe fatura që më vutë në dispozicion, ka emrin Arjola përispër, pasi porositë i bënte direkt ajo por, në emrin e shoqërisë Fast & Fresh. 

Pagesat për këto produkte, bëheshin në këtë formë,pra ajo bënte porosinë, mua më vinte fatura nga shitësi dhe unë bëja pagesën me bankë nëpërmjet Union Bank. Më pas, Arjola i paguante verërat në varësi të likuiditetit, kishte dhe raste që lekët vinin nga shoqëria Soft & Solution, paraprakisht, me bankë dhe më pas kaluam në pagesa kesh. Kur nuk kishte mundësi, ajo sillte dhe lekët kesh, në formën e paradhënies. Dua gjithashtu të sqaroj se shoqërisë Soft & Solution nuk i kemi shitur verëra me fitim, por gjithnjë me vlerën që i bleja, ky fakt edhe për shkak të bashkëpunimit dhe njohjes me Ermal Beqirin.”- Dosja e SPAK

 

Për SPAK vlera për gati 1 milion eurosh në këtë rast është përfitim korruptiv i Ergys Agasit. Dëshmi që ka shërbyer për të zbërthyer këtë skemë korruptive është ajo e Migena Schroeder, e cila zotëron kompaninë AESS, e cila ka marrë pjesë në tendera që zhvillonte AKSHI. Sipas saj bashkëpunimi nis në fillimin e vitit 2022 ku ndikimi i Ergys Agasit nuk ishte shfaqur ende. Por edhe në këtë periudhë duhet thënë se filozofia e drejtimin të këtij institucioni nuk ishte e ndryshme. I rëndësishme në këtë periudhë ishte Daniel Shima, ish numri dy i AKSHI-t. 

 

Në këtë periudhë, ndoshta në muajt Shkurt-Mars të vitit2022, më kujtohet që ka ardhur të më takojë shtetasi Daniel Shima, i cili më ka thënë që e kishte dërguar “shefja”, për ta takuar. 

Në këtë moment, Danieli ishte në dijeni të shoqërisë që ne kishim, pra AESS sh.p.k dhe më sugjeroi që të bëhesha pjesë e një projekti që lidhej me impelmentimin “Smartlab 2”, në shkollat.

Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi, që do të bëhej nga AKSHI-i që nuk ishte bërë ende. Danieli më thotë që ky projekt është caktuar që do të realizohej nga shoqëria “Albasan”, dhe se për këtë arsye duhet të takohesha me përfaqësues të kësaj shoqërie, shtetasin Elison Jorgji.

Interesi i tij që më kërkoi mua të bëhesha pjesë e projektit ishte sepse ne kishim ekskluzivitet të “Ruckus”,e cila njihet për fibrën optike, pra është nga firmat më të mëdhaja në botë dhe është amerikane, pra qëllimi i tyre ishte që të krijonin një imazh më të mirë, duke përdorur kompani amerikane”- Dosja e SPAK

 

Sipas kësaj dëshmi çdo gjë ishte e vendosur përpara se të zhvilloheshin procedurat e tenderimit, se kush do të ishte fituesi dhe cila ishte forma e pjesëmarrjes e kompanive të tjera.

 

Por në fillimin e 2024shtetasja gjermane thotë në dëshmi se gjerat ndryshuan në raport më këtë tender konkret. 

 

Dua gjithashtu të sqaroj faktin se rreth muajit Janar 2024, projekti ende nuk kishte mbaruar dhe më erdhi në zyrë shtetasi Elison Jorgji, i cili më tha që shtetasi Daniel Shima nuk do ishte më përgjegjës për çfarë ndodhte në AKSHI dhe se tashmë gjërat i kishte marrë në dorë një shtetas me emrin “Gysi”. Unë i thashë që nuk e njihja se kush ishte dhe as më interesonte një gjë e tillë. 

Në vijim, shtetasi Elison Jorgji, më tha që gjërat kishin ndryshuar dhe se unë duke qenë pjesë e gjësë, ai do më kalonte në llogari lekët dhe se unë duhet ti mbaja në llogari dhe ti kaloja mefatura të vogla nga pak e nga pak, por se deri në atë moment nuk e dija tamam se kujt duhej tja kaloja. Unë i thashë që nuk isha dakord dhe i thashë që do ti shkoja shtetases Mirlinda Karçanaj në zyrë për këtë gjë. Elisoni më tha pas kësaj se “unë nuk merrem me ty.”- Dosja e SPAK

 

Migena Shreder tregon se e ka takuar Karçanajn në zyrën e saj dhe ajo i kishte thënë se Elison Jorgjin e kishte futur Daneil Shima. Jorgji është këmbëngul në kërkesat e tij pasi sërish ka kërkuar takim me shtetasen gjermane duke i thënë nëse e kishte menduar ofertën. Një mesazh i vjen në telefon Migena Shrederit nga Mirlinda Karçanaj, e cila i kërkon që të takojë Ermal Beqirin. 

 

Mendoj se shtetasi Elison Jorgji do kishte përgjuar bisedën dhe e ka njoftuar ai Mirlinden sepse nuk kishte asnjë mundësi që të ishte rastësor sms i saj drejt meje pikërisht në atë moment. 

Shtetasin Ermal Beqiri e kisha takuar më herët pasi ma kishte sjellë në zyrë shtetasi Daniel Shima, për një projekt që ata donin të bënin me një shoqëri gjermane, të cilët i njihja. Sięç po thoja, pas takimit me shtetasin Elison Jorgji, shkova dhe takova shtetasin Ermal Beqiri, i cili më tha se më njihte vetëm nëpërmjet njerëzve që unë rrija. 

Ai më tha në vijim të bisedës që unë kisha hyrë në një “pishinë peshkaqenësh” dhe se ai ishte këtu “për të zgjidhur historinë”. Më kërkoi që të shkoja në zyrë të merrja kontratat dhe se në orën 18.00 duhet të takoheshim prapë në zyrën e tij.”- Dosja e SPAK

 

Ajo është takuar me Beqirin në zyrën e këtij të fundit ku është diskutuar për vlerën e kontratës dhe aty u vendos se sa para do të mbante ajo dhe një pjesë tjetër të parave do të kalonin me anë të një kontrate shërbimi tek kompania e Ergys Agasit. Rreth 1 milion euro është kaluar drejt Ergys Agsait nga kompania e Migena Shreder.

 

“Për këtë gjë, Emali më tha që duhet të kisha parasysh që këto lekë nuk ishin të miat dhe se prandaj më kishte thënë që kisha hyrë “në një pishinë peshkaqenësh”, por se ai kishte projekte të tjera dhe mund të bashkëpunoja me të në vijim për projekte të tjera. 

Unë i thashë Ermalit që nuk kisha nevoja për më tepër para pasi kisha punuar boll në jetën time. Pas këtij takimi, unë i kërkova NIPT-in e shoqërisë EA Solution dhe dola nga takimi. Këtë gjë e bëra pasi u ndjeva e presionuar dhe se mu duk sikur nuk kisha më asgjë në dorë se çfarë mund të bëja për këtë çështje, mund të prisja çdo lloj rreziku personal ndaj meje dhe shoqërisë dhe prandaj unë pranova. 

Këto i kam dhe në komunikimet e mia në platformën Whatsapp me shtetasin Ermal Beqiri, të cilat mund t’ua vë në dispozicion pasi i kam të printuara.”- Dosja e SPAK

 

Këto pagesa sipas SPAK nuk përbëjnë kosto për punë të kryer, por përfaqësojnë çmimin e përfitimit të parregullt korruptiv që i hetuari Ergys Agasi dyshohet se ka përfituar në bashkëpunim me titullaren e AKSHT-t, Mirlinda Karçanaj.

 

Në total shuma e përfituar në formën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim nga i hetuari Ergys Agasi rezulton rreth 1 miliardë lekë të reja dhe 470 mijë euro nga të cilat shuma prej 94 milion leke të reja janë përftuar në formën e pijeve të shtrenjta alkoolike si verë e kuqe, shampanjë etj.

 

Duke parë këtë marzh të lartë abuzimi më paranë publike gjykata me kërkesë të SPAK vendosi të sekuestrojë pasuritë e Ergys Agsait me dyshimin se ato janë produkt i korrupsionit të ndodhur në Agjensinë Komëbtare të Shoqërisë së Informacionit.

 

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK vetëm biznesmenit Ergys Agasi i janë sekuestruar 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompaninë EA Solution.

 

Rreth 65 mijë metra katrorë pyll ndodhur në Petrelë, i ndarë në 7 sipërfaqe është bllokuar nga hetuesit me dyshimet se ka origjinë të dyshuar kriminale. Bashkë me to janë sekuestruar dhe banesa të cilat janë ndërtuar aty gjatë viteve të fundit.

 

Ajo që bie në sy që pasi është bërë ndërtimi, menjëherë është aplikuar për leje legalizimi dhe nëpërmjet saj, 65 mijë metra katrorë pyll ka kaluar në pronësi të tij. Një ndër to është dhe sipërfaqja prej 26690 metra. 

 

Kjo pasuri e paluajtshme ka kaluar në pronësi nëpërmjet Vendimit nr.4539 datë 26.06.2024 рër Legalizimin e Ndërtimeve Pa Leje, të Drejtorisë Vendore Rurale 1, nënshkruar nga shtetasja Çelsea Terziu. 

Legalizimi është bërë mbi bazën e aplikimit nr. 336 datë 10.01.2020, pasi është verifikuar gjëndja ndërtimore, analizuar dokumentacioni dhe faktet dhe janë plotësuar kriteret e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Vlera e pagesës për kalimin e kësaj pasurie sipas formularit të pagesës është vlerësuar në shumën 3 milion e  149 mijë lekë” – Dosja e SPAK

 

Kjo është skema që ndjekur në të gjitha sipërfaqet e pyjeve, duke nxjerr në dukje një fakt tjeter, ndikimin e Ergys Agasait në një institucion tjetër siç është Kadastra. Ne kemi parë që për këtë çështje është pyetur në SPAK ish drejtoresha e kadastrës Dallandyshe Bici. Mbetet për tu parë se cili është roli i këtij institucioni në këto procedura kalimi pronësie dhe a janë kryer ato konform ligjit. 

 

Në listën e pasurive të sekuestruara bie në sy dhe 10 300 metra katrorë tokë në zonën e Farkës në Tiranë ku Ergys Agasi do të ndërtonte një kompleks më vila së bashku me Elvis Doçin, i njohur si Visi i Pojës. Sipas kontratës së firmosur Ergys dhe Megi Agasi si pronarë të tokës do të përfitonin 50% të sipërfaqes së ndërtimit. Elvis Doçi është shpallur në kërkim nga SPAK si i përfshirë në trafiku e kokainës nga Amerika Latinë në Evropë.

 

Kjo pasuri e paluajtshme ka kaluar në pronësi me kontratën e shitjes nr. 11/10 rep/kol datë 08.02.2021 mbajtur para notere Enina Juniku, midis shtetasve Agim Lamja, Hajdar Lamja, Qemal Lamja etj si shitës, shtetasit Armand Alliu, Nevila Alliu si dhënës pëlqimi dhe shtetasve Ergys dhe Megi Agasi si blerës, me çmim shitje 55.000 Euro ose 6 EUR m2. 

Gjithashtu më vonë, më datë 02.03.2021 shtetasit Armand Alliu dhe Nevila Alliu kanë shkëmbyer pjesën e tyre takuese në pasurinë e mësipërme me pasurinë 744/4 ZK 3091 në pronësi të shtetasit Ergys Agasi dhe Megi Agasi me kontratën e shkëmbimit me nr. 18/16 rep/kol, mbajtur pranë noteres Enina Juniku. 

Më datë 06.03.2021 lidhet kontratë sipërmarrje (për marrjen për investim të një sip toke) midis shtetasit Ergys Agasi dhe Megi Agasi si pronarë të truallit dhe subjektit “Eldemar Construction” me ortak dhe administrator shtetasit Elvis Doçi, për të realizuar një bashkë investim në realizimin e një projekti ndërtimor “Kompleksi rezidencial Vila” me sip zhvillimore 10 300 m2, ku pala pronare e truallit do të përfitojë 50 % të sipërfaqes së përgjithshme ndërtimore të objektit të parashikuar në projektin që do të miratohet”- Dosja e SPAK

 

Ish drejtoreshës se AKSHI-t Mirlinda Karcanaj iu sekustruan 3 apartamente, një ullishte 1500 metra katrore në Sauk, një makinë dhe disa llogari bankare. Sipas SPAK Karçanaj nuk është një zyrtare e këtij shteti që jetonte me qira, por gëzonte disa pasuri të cilat dyshohet se janë produkt i korrupsionit të saj gjatë drejtimit të AKSHI-t.

 

Lidhur me të ardhurat e paligjshme të përfituara në formë korruptive nga e hetuara Mirlinda Karçanaj, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, të cilat të analizuara në harmoni me njëra tjetrën. bëjnë të besohet fakti se ajo ka përfituar nga shtetasi Daniel Shima, vlerën prej 200.000 euro, në mënyrë indirekte nga shtetasja Arjola Koromani nëpërmjet shtetasit Daniel Shima në disa raste ka marrë persona “kuti të vere” të mbushura me kartëmonedha EURO të prerjeve 100, 200 dhe 500 si dhe ka përfituar nga persona të tjerë të lidhur me shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi ku përmendim blerjen e tre pasurive të dy në Tiranë dhe një në Qerret, me qëllim favorizimin e shoqërisë “Soft & Solution” apo dhe kompanive të tjera,në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga institucioni që ajo drejtonte”- Dosja e SPAK

 

SPAK dyshon se një apartament me sipërfaqe 200 metra katrorë ndodhur në zonën e stadiumit “Air Albania”, është i Mirlinda Karçanajt. Kjo shtëpi është në pronësi të Orest Sotës, i cili del si lidhje e afërt e Ergys Agasit në këtë rast. Në dëshmi ai ka sqaruar se këtë ekishte blerë për nevoja të tij pasi në atë kohë ishte pa apartament. Pavarësisht këtij fakti se ishte pa apartament ai vendos ti bëjë nder Ergys Agasit duke ia dhënë me qira 600 euro në muaj Mirlinda Karçanajt.

 

Këtë apartament e kam blerë unë nga shtetasi Genci Osmënaj. Unë kam njohje të hershme me djalin e tij Amarildo Osmënaj pasi kemi qenë në shkollë bashkë. Tek ky apartament ka jetuar Amarildo me familjen e tij dhe unë kam pas shkuar i vogël te ky apartament. Këtë apartament e kam blerë për nevojat e mia pasi isha ра apartament. 

Shtetasi Ergys Agasi më kërkoi që ti gjeja një apartament me qira dhe unë i them se kam një apartament timin. I kam dhënë me qira apartamentin për të cilin ju më pyesni më sipër, të cilën edhe sipas kontratës e ka marrë dhe ka jetuar shtetasja Mirlinda Karcanaj”. Lidhur me vlerën e qerasë se apartamentit dhe njohjen e tij me shtetasen Mirlinda Karçanaj, shpjegoi se: “Këtë vlerë e kam vendosur si vlerë minimale për ti bërë nder shtetasit Ergys Agasi për shoqëri. Jo nuk kam dhe nuk jam takuar asnjëherë me të”- Dosja e SPAK

 

Për SPAK qiraja simbolike prej 600 në një zonë e cila është shumë me e shtrenjtë dhe mospërputhja midis vlerës së rivlerësuar dhe çmimit të blerjes përforcon dyshimin se shoqëria “Fortis Beton CO” në pronësi të Orest Sotës ka shërbyer si mjet për transferimin dobie pasurore tek e hetuara Mirlinda Karçanaj. Kjo për prokurorët përbën një tregues teknik të një skeme të mundshme për fshehjen e përfitimeve të paligjshme.

 

Për të fshehur origjinën e pasurive të tjera të Mirlinda Karçanajt janë punonjësit e kompanive të Ermal Beqirajt apo familjare dhe të njohur të Danil Shimës, i tillë është rasti i një apartamenti në Rrugën e Kavajës, në Tiranë. 

 

Në përfundim, analizohet se i njëjti apartament i cili është blerë nga shtetasi Rafael Bistri për shumën 78.380 (shtatëdhjetë e tetë mijë e treqind e tetëdhjetë) euro në muajin Mars të vitit 2017 (me fonde të përfituara nga Erisa Malenllari dhe Andis Papa), i është shitur të ëmës së shtetases Mirlinda Karçanaj, në muajin Maj të vitit 2019, për vlerën 5.000.000 leke, pra 3.000.000 lekë më pak.

Nga hetimet rezulton se vlera reale e transaksionit të kryer për blerjen e këtij apartamenti është rreth 160 000 EUR dhe jo sa është deklaruar në aktet noteriale, ku vlera prej 80 000 EUR është paguar në cash nga e hetuara Mirlinda Karçanaj me të ardhura që rrjedhin nga aktiviteti kriminal.”- Dosja e SPAK

 

E njëjta skemë është përdorur edhe në blerjen e një apartamenti në bregdetin e Qeeretit në Kavajë, ku përveç punonjësve të kompanive që përfitonin tendera nga Akshi, pjesë skemës janë edhe bankat e nivelit të dytë. Kjo pasuri është në emër të Ramë Bashës i cili ka dhënë dëshmi para oficerëve të BKH-së.

 

Në lidhje me këtë kontratë, mbaj mend që e kam firmosur një kontratë për një banesë që më duket se është 100.7 m2, pasuri të cilën e kam blerë për vlerën 100.000 euro. Nuk e di as ku është noteri dhe as kush është shitësja dhe as se si e gjeta këtë banesë. As nuk kam qenë kurrë në këtë shpi dhe as nuk kam qenë asnjëherë në jetën time as në Durrës jo më në Qerret. 

Nuk e mbaj mend fare në çfarë rrethanash e kam blerë, as e mbaj mend fare. Lekët për ta blerë këtë shpi mi ka dhënë shtetasi Sokol Parllaku borxh, mbaj mend që mi ka dhënë në kesh dhe unë i kam derdhur në bankë, por nuk mbaj mend detaje të tjera....As nuk e di fare se kush është shitësi apo shitësja dhe as e kam takuar kurrë në jetën time. As emrin e noterit nuk e mbaj mend apo ta di se ku është....As nuk e kam idenë...Siç ju thashë, as në Durrës nuk kam qenë ndonjëherë në jetën time e jo më në Qerret.”- Dosja e SPAK

 

Pasuri miliona eurosh iu sekuestruan edhe Ermal Beqirit i cili është ndër përfituesit kryesorë të skemës korruptive. Ai ishte personi i cili përcaktonte kriteret për kompanitë të cilat duhet të hynin në garë, ai ishte personi që merrej me organizimin e të gjithë skemës. Ndër pasuritë e sekuestruara është edhe një jaht i cili ka vlerën e 1 milion eurove. Për ta fshehur këtë pasuri ai ia kishte dhuruar punonjëses së tij Xhenila Tamizi. E pyetur nga SPAK ajo ka sqaruar.

 

Kam qenë e punësuar nga shtetasja Arjola Koromani, por dhe Ermal Beqiri, tek shoqëritë Soft & Solution dhe Horizon, ku jam aktualisht administratore.. Dua gjithashtu të shtoj faktin se rreth 28 vitit 2025 shtetasi Ermal Beqiri, ka blerë një jaht nuk e mbaj mend se ku. 

Mesa kuptova, Ermalin e kishin këshilluar që do të ishte më e kollajshme për lëvizjen e mjetit lundrues, nëse do të kishte pronar një shtetas të Bashkimit Europian. Duke qenë që unë jam me pasaportë bullgare, ai vendosi të ma ahurojé mua jahtin. 

Për historinë e jahtit, unë kam të gjitha email-et dhe korrespondencat me kompaninë shitëse, me zyrën e avokatisë në Maltë, të cilat do ti nxjerr dhe do tua dorëzoj në një moment tjetër”- Dosja e SPAK

 

Në këtë pikë ku ka arritur ky hetim nuk mund të trajtohet më si një çështje e izoluar që i përket vetëm disa individëve të përfshirë në një dosje penale. Përmasat e saj, emrat që përmenden dhe mënyra se si ka funksionuar kjo skemë, e kthejnë atë në një provë të drejtpërdrejtë për vetë shtetin, për mënyrën se si ai kontrollon, si mbikëqyr dhe mbi të gjitha si mbajnë përgjegjësi ata që administrojnë fondet publike dhe marrin vendime në emër të qytetarëve.

 

Këtu nis përballja e vërtetë, sepse nëse një mekanizëm i tillë kriminal ka arritur të funksionojë, qoftë edhe për një periudhë të kufizuar kohe, atëherë kjo do të thotë se sistemet e kontrollit kanë dështuar në mënyrë të plotë, ose kanë zgjedhur të mos funksionojnë.  Pikërisht kjo është pikëpyetja e madhe që duhet ti japë përgjigje hetimi i Prokurorisë së Posaçme, nëse nuk ka përgjigje për këtë hetimi do të jetë i paplotë. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy