Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qëndruar sot në Shkodër dhe në një takim me demokratët tha se 25 prilli është vjedhja më e madhe në historinë e pluralizmit.
Duke folur për partinë që mori dy mandate në Shkodër, Basha, tha se nuk ka PSD, por bëhet fjalë për një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit “për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Basha e përsëriti dhe e quajti 25 prillin një masakër elektorale ndërsa Shkodrën e cilësoi si një nga skenat e krimit të këtyre zgjedhjeve.
"Sot nga Shkodra e krenarise kombetare më vjen keq të pohoj se jemi në një nga skenat e krimit të 25 prillit. Këtu hileja e regjimit Rama-Doshi fshehu koncesionin e Partisë Socialiste si kamuflazh nën siglën e PSD-së. Por sikurse e dinë shkodranët dhe e gjithë Shqipëria, nuk ka PSD. Ka një ndërmarrje të përbashkët të Edi Ramës dhe të Tom Doshit për të fshehur nën siglën e kësaj ndërmarrjeje, të padëshiruarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka PSD, sepse ka tre kandidate të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, që të tre drejtorë të Partisë Socialiste. Nuk ka as PSD, as PS, por është regjimi Rama-Doshi që bleu me paratë e grabitura të shqiptarëve mjerimin që j’ua ka shtruar në sofra çdo familje shkodrane dhe shqiptare. Të gjithë jemi dëshmitar se si i derdhën lumë paratë e korrupsionit dhe i përdoren banditët për të shantazhuar, intimiduar dhe blerë votuesit.
Në mënyrën më të paimagjinueshme që nga kohërat më të egra të diktaturës. Dhe në fakt e pamendueshmja ndodhi këtu në Shkodër, ku për herë të parë në 30 vite Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyll mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të thoshte: këtu po blen vota Tom Doshi", u shpreh Basha.



