
Eksperti i sigurisë Drizan Shala deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se vizita e Komisionerit Evropian për Zgjerim, Olivier Varhelyi është për të përçuar mesazhin se Bashkimi Evropian nuk po e lë mënjanë Kosovën.
Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij Shala tha se pas datës 1 qershor situata në veriun e Kosovës do të jetë më e tensionuar dhe se mund të ketë përplasje mes grupeve kriminale dhe policisë, e cila do krijojë një situatë të ngjashme si ajo e 2022 por që do të ketë impakt më të gjërë.
Çështja e takimit të Varhelyi në Kosovë ndërlidhet me progresin e shumë proceseve mes BE-së dhe Kosovës dhe do të ketë fokus dhe implementimin e marrëveshjes së Ohrit dhe pikave që kanë dalë si rezultat i bisedimeve për paktin franko-gjerman.
Mbi të gjithë vizita do të jetë për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mekanizma të ndryshëm evropianë. Do të diskutohet dhe me përfaqësues të partive opozitare që ta mbështesin rrugëtimin e Kosovës në integrimin euroatlantik.
Kjo vizitë është për të përçuar mesazhin se BE nuk po e lë anash Kosovën sa i përket interesave të saj, por duhet të arrihet kjo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që Kosova të hyjë në Këshillin e Evropës.
Do të diskutohen dhe çështje teknike dhe operacionale sa i përket dhe misioneve të BE-së, dhe investimeve që vijnë. Kjo vizitë është për t’u përshëndetur dhe vjen në më kohën optimale, sa i përket zhvillimeve që po ndodhin, pas 26 majit ku priten dhe proceset në Serbi. Nga 1 qershori do të kemi trazira të mundshme dhe rezistencë. Vizita e Komisionerit do i japë shtytje që të tejkalohet çdo situatë që mund të vijë nga Beogradi dhe të mos prishet balanca e sigurisë dhe t’i hapet rrugë dy vendeve për t’u integruar.
Do të shihet pas datës 1 qershor, pas fillimit të aktivitetit të skenarëve të Serbisë, bllokimit të rrugëve, tentativës për përmbysje dhe shtrirjes së autoritetit qendror tek 3 komunat. Do të shihen që konfrontimet do të jenë pjesë përbërëse, që Serbia i ka kërkuar që nga 2021 përmes aktivizimit të çështjes së targave. Një papjekuri nga ana e qeverisë së Kosovës ka ndikuar që situata të rrëshqasë nga duart e mbështetjes shtetërore operacionale, përjashto që policia e Kosovës është angazhuar me planin e saj që nga 2021 në veri duke ofruar garanci. Nga 1 qershori situata do të jetë më e koklavitur dhe më e tensionuar dhe mund të lindë konfrontim me strukturat kriminale dhe institucioneve për të penguar shtrirjen e autoritetit në atë pjesë dhe për të garantuar. Do të shihet një situatë që do i ngjasojë 2022 me përmasa më të gjëra dhe me impakt dhe rajonal.



