Të paktën gjashtë persona u vranë dhe 25 të tjerë u plagosën pasi një raketë goditi një ndërtesë apartamentesh mëngjesin e kësaj të marte në Kryvyi Rih, në rajonin Dnipropetrovsk. Lajmin e bëri me dije administrata rajonale. “ Një ndërtesë pesëkatëshe u shkatërrua. Njëzet e pesë persona u plagosën dhe 19 prej tyre ndodhen në spital. Ka ende njerëz nën rrënoja ", raportoi administrata rajonale e Dnipropetrovsk në llogarinë e saj Telegram, e cila në një mesazh të mëparshëm raportoi një sulm me raketa. Ditën e djeshme, presidenti Volodymyr Zelensky tha se ofensiva e vazhdueshme e ushtrisë ukrainase në jug dhe lindje të vendit ishte e vështirë, por po përparonte pasi administrata e tij siguroi gjatë ditës se kishte marrë të paktën shtatë fshatra nga forcat ruse.



