Kushtetuesja nuk shqyrtoi shembjen e Teatrit, Kalaja: Fitore që vuri në vend drejtësinë

Kushtetuesja nuk shqyrtoi shembjen e Teatrit, Kalaja: Fitore që vuri në vend drejtësinë

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar nuk është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese. Në vendimin e zbardhur thuhet se në seancë nuk u formua shumica e nevojshme për të shqyrtuar bazueshmërinë e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës. Në një lidhje Skype për MCN TV, aktivistja e “Aleancës për Teatrin” Adriana Kalaja e cilësoi këtë një fitore të jashtëzakonshme që sipas saj ka vënë në vend drejtësinë.

Duke iu referuar zbardhjes së vendimit, Kalaja tha se vendimi i këshillit bashkiak nuk është lënë në fuqi ashtu siç pretendon kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, por vendimi i këshillit bashkiak nuk është marrë fare në shqyrtim për shkak të mosformimit të kuorumit të nevojshëm.

Intervista:

Çfarë të reje sjell ky vendim i zbardhur për çështjen e Teatrit?

Kalaja: Ashtu siç e kemi paraqitur përmes dispozitivit që na është vënë në dispozicion më datë 2 korrik vazhdojmë të theksojmë se kjo është një fitore e jashtëzakonshme në këtë betejë gati gati të pabarabartë në të gjitha dimensionet. Është një fitore që vuri në vend drejtësinë për Teatrin, është një fitore që jo vetëm që anuloi dy akte antikushtetuese, por është një fitore e cila ka bërë nul çdo akt i cili ka dalë nga këto dy akte ligjore. Sipas zbardhjes së vendimit, vendimi i këshillit bashkiak nuk është lënë në fuqi ashtu siç pretendon kryetari i bashkisë, Veliaj, por vendimi i këshillit bashkiak nuk është marrë fare në shqyrtim për shkak të mosformimit të kuorumit të nevojshëm. Në këto kushte gjykata sipas zbardhjes së vendimit është marrë me shkakun, me VKM e transferimit të pronës dhe jo me vendimin e këshillit bashkiak të prishjes së Teatrit duke e parë atë si një akt i cili del nul për sa kohë baza ligjore e këshillit bashkiak ka rënë. Kemi një vendim të këshillit bashkiak të dalë mbi vendimin e këshillit të ministrave për transferimin e pronës. Për sa kohë vendimi i Këshillit të ministrave ka rënë atëherë edhe vendimi i këshillit bashkiak bie automatikisht. Zbardhja e vendimit të sotëm nuk është gjë tjetër veçse piketat mbi të cilat duhet të vijojë hetimi pranë organit të SPAK, hetim i cili në dijeninë tonë ka nisur pak kohë pas prishjes së Teatrit. Në këto kushte çështja është shumë e qartë, duhet të zgjidhet së pari çështja e fajësisë individuale për të gjithë ata që kanë lidhje me shembjen e Teatrit dhe pas zgjidhjes së fajësisë do ti drejtohemi Gjykatës me një padi për shpërblim dëmi pasuror.

Këto janë hapat ligjor që do të ndiqni më tej?

Kalaja: Po. Jam e detyruar të sqaroj publikun se Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për rikthimin e pronës nga bashkia Tiranë në Ministrinë e Kulturës. Prona nuk ekziston më me formatin e datës 7 maj, pra kemi gjendje vetëm truallin, dy godinat dhe çfarë ishte pjesë e godinave të Teatrit janë shembur në mënyrë antiligjore nga ana e kryetarit të bashkisë Tiranë. Gjykata është shprehur me arsyetim duke thënë se nuk janë ndjekur të gjitha kriteret për të marrë një vendim duke respektuar dispozitat ligjore, kështu që kryetari i bashkisë përpos veprave penale që akuzohet nga ne do të jetë i detyruar minimalisht që kur të rikthejë pronën tek Ministria e Kulturës ta rikthejë siç ishte më 7 maj 2020.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy