Analisti Andi Bushati thotë se shpallja “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj kryedemokratit Sali Berisha ishte e lobuar.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, ai komentoi deklaratën e gazetarit investigativ Tyler O’Neil në kongresin amerikan i cili tha se ndryshimet në sistemin e drejtësisë në Shqipëri janë realizuar me mbështetje nga USAID dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, dhe këto ndryshime çuan në ndjekjen penale të Sali Berishës.
Deklarata e gazetarit në kongres, por është dhe një ndërhyrje e dytë e bashkëkryetares së kongresit, një kongresmene e njohur republikane që thotë të njëjtën gjë, që reforma në drejtësi në Shqipëri u bë për të goditur opozitën.
Mund të jesh kundër veprimeve që po ndërmerr administrata Trump dhe mund të shohësh me dyshim qasjen e Musk për të pastruar administratën.
Pyetja është pse në kongresin amerikan merret si shembull Shqipëria? Pra Shqipëria serviret si laborator eksperimental, ku paratë e USAID kanë shërbyer për shkallmimin e demokracisë, kjo është ajo që u pa dje.
Ky lajm vë në pikëpyetje të madhe mënyrën si u zhvillua reforma në drejtësi dhe si është përdorur si kamxhik për të luftuar kundërshtarët politik në Shqipëri.
Kujt Amerike ti besojmë, asaj që thoshte kjo është reformë e mirë, apo kësaj që thotë se kjo është reformë për të shkatërruar demokracinë dhe opozitën.
Nuk e di nëse ka qenë Soros mbrapa kësaj, por që ditën që Berisha është shpallur “non grata” e kam thënë që kjo është një “non grata” e lobuar, ishte “non grata” pa sens.
Kur e thonë në Amerikë, nuk do të thotë se ata kanë të drejtë, por këtu ka diçka. Shqipëria duhet të pastrohet nga lobistët.
Bushati shtoi se reforma në drejtësi në Shqipëri ka qenë një katastrofë e ka kthyer drejtësinë mbrapa, duke e krahasuar me atë që e quajti “drejtësinë e plepave që bëri Berisha në 1992”.



