Ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pritet të njihet sot me akuzën për ngjarjen e Gërdecit, pasi tashmë është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme.
Kreu i Partisë Republikane është nën hetim për shpërthimin në fabrikën e demontimit të armëve dhe municioneve në mars të vitit 2008.
SPAK do ti komunikoje Mediut akuzën mbi ngjarjen e rëndë e cila i mori jetën 26 personave që punonin në këtë fabrikë.
Mësohet gjithashtu se akuzat që rëndojnë mbi të janë ato të “shpërdorimit të detyrës” dhe të “shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim” me kuadrin komandues ushtarak.
Mediu u padit në SPAK nga familja Durda, e cila humbi pjesëtarë të vet në shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi me 24 shtator 2021 të pranojë kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimit për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me çështjen “Gërdeci” .
Me pranimin e kësaj kërkese Gjykata e Posaçme e Apelit revokoi vendimin e vitit 2009 të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes në ngarkim të ish-ministrit, duke e kthyer çështjen për hetim në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).



