
Eksperti i ekonomisë Sherefedin Shehu foli në MCN Live lidhur me paketën anti-krizë të qeverisë Rama, duke theksuar se nuk janë mbështetur as qytetarët në nevojë,me paga të ulëta, si dhe bizneset.
Shehu thotë se paketa anti-krizë duhej të orientohej drejt sektorëve që gjenerojnë punësim dhe qeveria duhet t’ua kthente qytetarëve mbrapsht 300 milionë eurot e përfituara nga TVSH dhe akciza pas rritjes së çmimeve.
Eksperti vë në dukje se në Shqipëri paga reale ka pësuar rënie të ndjeshme dhe jeta është bërë e papërballueshme për qytetarët.
Në 6 mujorin e parë ne patëm një rritje 300 milionë euro, që erdhi kryesisht nga rritja e çmimeve. Ne kemi paguar më shumë për shtetin në një periudhë kur duhet të marrim. Kemi një rritje disproporcionale ose të voglën në raport me koston që ka shkaktuar kriza. Kemi një qeveri 10-vjecare që krizat i ka përdorur për kapital politik. Ka folur për të varfrit duke i varfëruar, që është në thelb të komunizmit, sa më shumë t’i varfërosh qytetarët aq më lehtë t’i qeverisës ata. Edhe këto thërrime mbështetje që ofrohen në këtë paketë akoma s’kanë shkuar te qytetarët. Thjesht debatohet për të zhvendosur vëmendjen nga kriza për t’u ngopur me lugë boshe. Ka tre muaj që është miratuar dhe s’është bërë efektive. Edhe masat janë indeksime, që do transferohen vitin e ardhshëm nëse do realizohen. Shqipëria është i vetmi vend që s’dha ndihmë të mjaftueshme edhe për periudhën e Covid-t. Nevoja emergjente është në radhë të parë ata që kanë më pak të ardhura. Në fokus duhet të ishin shtresat në nevojë, duke filluar me pensionistët.
Fokusi duhet të zhvendoset te ata që janë në marrëdhënie punë por me të ardhura të pakta, me pagë minimale. Rritja e pagës minimale s’është masë anti-krizë. Në sektorin publik s’ka paga të këtij niveli, ndërsa në sektorin privat ka paga të tilla. Janë kryefamiljarë që s’po marrin këtë mbështetje. Deri tani kanë marrë 3 mijë lekë në muaj vetëm pensionistët. E dyta, paketa anti-kriza duhej të orientohej në sektorë që gjenerojnë punësim, kam parasysh biznesin e vogël, ndoshta edhe të mesëm, por sidomos bujqësinë. Analizat e fundit tregojnë që shumica e shqiptarëve largohen për shkak të nivelit të ulët të pagave. Paga reale ka pësuar rënie të ndjeshme. Fakti që niveli i pagave është në ngërç, nuk garanton perspektivën. Si mund të krijosh familje të përballosh qira, si mund të blesh shtëpi! Nëse do mbështeteshin bizneset do kishim njerëz që do kishin më shumë interes ndoshta edhe për të ndenjur në Shqipëri. Paketa anti-krizë nuk mbështet as qytetarët në nevojë me paga të ulëta, nuk përkrah as biznesit”.
Shehu thotë se Kosova e ka mbështetjen anti-krizë pesë herë më të madhe se Shqipëria. Ai thotë se duhet të kishte mbështetje të drejtpërdrejtë në turizëm, bujqësi dhe biznesin e vogël.
Qeveria u mburr që ka rritur të ardhurat rreth 300 milionë euro. Minimalisht qeveria duhet të kishte shpërndarë përmes paketës këtë 300 milionë euro, që u krijuan nga TVSH dhe rritja e akcizave si rrjedhojë e rritjes së çmimit të mallrave të konsumit. Ka hapësirë për të ndërmarrë politika në mbështetje të qytetarit, të biznesit për të përballuar krizën. Kosova e ka mbështetjen 5 herë më të madhe se Shqipëria. Edhe gjatë pandemisë Shqipëria ka dhënë mbështetjen më të ulët në rajon, 1,1 për qind. Mbështetja më efektive është para në xhepin e qytetarit dhe në llogaritë e bizneseve. Sektori i turizmit, bujqësia, biznesi i vogël, duhet të kishin mbështetje të drejtpërdrejtë financiare me kuota mujore”.
Sa i takon rritjes së çmimit të energjisë elektrike për fashën që konsumon mbi 800 kilovat, Shehu tha se qeveria po bën luftë klasash.
Këtë qeveri nuk e shoh ndryshe, përveçse në çdo veprim mendon më shumë për kapital politik sesa për të dhënë mbështetje. Kemi katër muaj që kemi dëgjuar, kush konsumon mbi 800 kilovat, do ketë një çmim të katërfishuar. Shikojmë një demagogji të pastër. Rritja e çmimit duhet të bëhet në mënyrë institucionale nga Enti Rregullator. Qeveria duhet të kundërpërgjigjet për të ndihmuar ata që preken nga rritja e çmimit të energjisë. Duke thënë që po rrisim çmimin për ata që konsumojnë më shumë, shkelen parimet e ekonomisë së tregut. Qeveria po bën luftë klasat, duke thënë që prek 5 për qind të qytetarët. Nuk është masë efikase që kontribuon në zgjidhjen e krizës. Kemi një vit dhe akoma s’kemi parë një plan të vërtetë të zgjidhjes së krizës energjitike. TEC-et lundruese do të krijojnë një ndotje që s’e justifikojnë as prodhimin, nëse do të ketë prodhim të konsiderueshëm. Z. Rama ka arritur të kontrollojë gjithçka. Bizneset janë në 10 duar, 10 klientë të qeverisë që kanë ushtrinë e të punësuarve që manipulohet dhe shfrytëzohet për qëllime elektorale. Opozita me gjithë përpjekjet e fundit, është një opozitë pjesërisht e blerë nga qeveria. Vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë Shqipërinë”.



