Ditën e sotme ka nisur Komisioni Hetimor i CEZ ku pritej që të dëshmonte biznesmeni Nuel Kalaj. Kreu i Komisionit lexoi shkresën e Policisë së Shtetit, e cila kishte shkuar në shtëpinë e biznesmenit, por nuk ishte përgjigjur asnjeri.
Më pas në komision është paraqitur përsëri dëshmitari tjetër, djali i ish-kryeministrit Shkelzen Berisha. Por dëshmia e tij ka qenë e pamundur pasi janë përfshirë në debate kreu i komisionit Taulant Balla dhe Shkëlzen Berisha.
Sapo Shkëlzen Berishës i është kërkuar të betohet, ai ka ripërsëritur kërkesën e tij për përjashtimin e kryetarit të komisionit, Taulant Balla nga komisioni. Por Balla i ka mbyllur mikrofonin.
Mes tyre ka pasur debate dhe akuza të ndërsjellta, deri sa më në fund, Balla i ka kërkuar Shkëlzen Berishës të dalë jashtë.
Berisha e ka cilësuar palaço dhe shpifës Ballën, ndërsa ky i është kthyer: “Të ka mësuar babi keq ty, dil jashtë”. Pas kësaj, Shkëlzen Berisha ka dalë nga komisioni.



