
Dje për herë të parë gazi i lëngshëm u tregtua me 110 lekë për litër bazuar në çmimet e reja të vendosura nga Bordi i Transparencës. Në nivele rekord shkoi edhe nafta e benzina, duke prekur nivelet që përcaktuan fillimisht vetë kompanitë e naftës.
Lidhur me këtë në studion e lajmeve në ‘MCN TV’, Teuta Kortoçi, pedagoge dhe eksperte ekonomie deklaroi se me ngritjen e bordit qeveria ra në kontradiktë me atë që deklaroi kur u shpreh se nuk mund të ndërhynte në çmime.
Ajo tha se rritja e çmimit nuk ka lidhje me luftën në Ukrainë dhe se kompanitë janë të detyruara të kenë rezerva dhe nuk kanë pse të luajnë me çmimet sipas bursës sepse nuk blejnë drejtpërdrejt mallin në bursa.
Ajo çka do të thoja është kontradikta që ekziston me qeverinë dhe efektet që i kaluan te lufta. Fillimisht do evidentoja reagimin që pati qeveria duke thënë se nuk mund të ndërhymë te çmimet dhe më pas ngriti një bord, kjo është një kontradiktë. Në momentin që bordi vendos një çmim gjëja themelore është arsyeja pse vendos atë çmim. Në momentin që ne kemi rezerva do të thotë që ne kemi blerë produktin para se të vinte kjo krizë. Nëse kompanitë i referohen çmimit real të bursës ato nuk janë kompani të bursës dhe në momentin që e ofrojnë te qytetarët nuk e blenë sot.
Karburantet ka qenë tregu më tipik që kanë luajtur me çmimin e bursës. Nëse i referohemi bursës gjatë pandemisë kur çmimi ra nuk ndodhi që ulja në Shqipëri të ishte kaq drastike siç po ndodh tani me të kundërtën. Dhe argumenti ishte se e kishin blerë në një kohë me çmim më të lartë, atëherë pse nuk përdoret ky argument dhe tani. Kompanitë janë të detyruara të kenë rezerva atëherë pse ky çmim i lartë sepse ato nuk e blejnë drejtpërdrejt mallin në bursa. Dhe në të tilla raste e shoh si pjesë abuzive për fitim. Ndaj ajo çfarë do sugjeroja është ulja e marzhin të fitimit që kanë kompanitë me këtë produkt. Të përdorurit si element luftën për rritjen e çmimit në logjikën time si ekspert në periudhë krize nuk duhet të synohet fitimi ato janë elementë për të mbajtur kompaninë aktive në treg, të ruajë bazën e funksionalitetit.
E pyetur se çfarë mund të bëjë tjetër qeveria në të tillë situatë dhe nëse duhet të marrë masa vetë, Kortoçi tha se kur qeveria do ndërhyn dhe në çmim prandaj sipas saj ajo duhet të vendosë marzhe tavan fitimi dhe në këtë rast do të jenë më shumë mbështetëse për kompanitë.
Nuk bie dakord me atë qëndrim kur qeveria tha se nuk mund të ndërhyjë dot në çmim sepse ajo kur do ndërhynë dhe këtë e tregoi përmes bordit. Ajo duhet të vendosë marzhe tavan fitimi dhe në këtë rast do të jenë më shumë mbështetëse për kompanitë dhe nuk duhet parë se kjo është kriza dhe konsumatori është i detyruar të marrë produktin. Tregu i lirë do të thotë që çdokush blen dhe shet sipas kërkesës dhe qeveria duhet të ushtrojë kontroll të drejtpërdrejtë dhe jo të përcaktojë se sa do të jetë fitimi. Matja e marzhit të fitimit e ndihmon konsumatorin dhe në këtë mënyrë qeveria e ka ushtruar detyrën e saj.



