
Festimet për ndërrimin e viteve, që u zhvilluan në sheshe në të gjithë vendin kanë kaluar pa incidente. Si pasojë e përdorimit të pakujdesshëm të fishekzjarrëve, raportohet se janë dëmtuar lehtë gjithsej 16 shtetas, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar për në banesë.
Nuk është raportuar asnjë ngjarje serioze, konflikt apo incident.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka inspektuar punonjësit e Policisë që ishin në detyrë gjatë natës së ndërrimit të viteve, për të parë nga afër zbatimin në terren të masave të marra. Gjatë vizitës, ai ka falënderuar dhe uruar punonjësit për angazhimin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar se “bukuria e misionit tonë qëndron në sakrificën njerëzore për të mirën e qytetarëve.”
Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, duke garantuar se Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar në shërbim të qytetarëve dhe e vendosur në luftën ndaj krimit, për të ndërtuar një ambient shoqëror më të sigurt.



